Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka marrë vaksinën e përditësuar antiCOVID si dhe vaksinën e gripit sezonal, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë të shtunën, raporton agjencia AP.
Doktori i Shtëpisë së Bardhë, Kevin O’Connor, ka treguar se Biden ka marrë të dy vaksinat të premten. O’Connor ka thënë se Biden (80) po ashtu ishte vaksinuar disa javë më parë kundër sëmundjes respiratorë të njohur si RSV.
“Ndërsa po i afrohemi sezonit të gripave dhe ftohjeve, Presidenti inkurajon gjithë amerikanët të ndjekin shembullin e tij dhe të sigurohen se janë plotësisht të vaksinuar”, ka thënë O’Connor.
Qendra për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve (CDC) më herët këtë muaj ka miratuar dozën e re të vaksinës kundër COVID-19 për të gjithë që janë mbi 6 muaj. Rrezikshmëria e COVID-19 është ulur, por prapë në SHBA ka qindra hospitalizomë e vdekje çdo javë.
Ekspertët shqetësohen se imuniteti nga vaksinat e kaluara po zbehet, dhe se doza e re e vaksinës do të shpëtonte shumë jetë.
Zonja e Parë, Jill Biden, rezultoi pozitive me COVID-19 më herët këtë muaj, por pati simptome të buta.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.