DESKU

Çanak: Urrejtja mësohet, vitet '90 mund të kthehen

 

Ish-deputeti në Parlamentin e Serbisë, Nenad Çanak, ka thënë se nuk e sheh të pamundshme që rajoni të përballet me situatën e njëjtë sikur që qe përballur në vitet e ’90-a. Duke folur për takimin që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe për qëndrimet e tij mbi gjenocidin serb, në Kosovë, Çanaku është shprehur se periudha e tashme kategorizohet me “ngujimin në istikame semantike”.

‘’Nga biseda me z. Kurti kam mësuar shumë rreth gjendjes në Kosovë sipas pikëvështrimit të tij, rreth çështjes së të pagjeturve apo të rrëmbyerve, si i quajnë njerëzit nga shoqatat që merren me këtë çështje... Ajo që e karakterizon periudhën e tanishme është ngujimi në istikame semantike. Këto istikame semantike i kemi në Serbi, për shembull lidhur me çështjen e gjenocidit, që më së shpeshti lidhet për Srebrenicën, me masakrat e Srebrenicës, ndonëse do të mund të përdorej edhe për ngjarje të tjera të viteve nëntëdhjetë. E gjeni gjendjen në të cilën manipulohet me fjalën gjenocid në shumë nivele, ku nga njëra palë shtrohet pyetja se ku qëndron problemi të quhet diçka me emërtimin që e ka, pra gjenocid, siç e ka vërtetuar edhe verdikti në Hagë, derisa nga ana tjetër në Serbi ka të tillë që pohojnë se nëse e pranojmë që ky ka qenë gjenocid, kjo nënkupton shpalljen e serbëve popull gjenocidial, gjë që është floskulë e pastër...’’.