Euro 2020

Alioski i dëshpëruar me humbjen, por ka ende shpresë

 

Mbrojtësi i krahut të majtë, Ezgjan Alioski është shprehur i dëshpëruar me humbjen që Maqedonia e Veriut e pësoi nga Austria në hapje të Evropianit. Por, ai ka thënë se janë edhe dy ndeshje për t’u luajtur. Ai shpreson që me Maqedoninë e Veriut do ta kalojnë fazën e grupeve.

“Më mungojnë fjalët, nuk e di çfarë të them. Ne e dinim që Austria është një ekip i mirë, me individë cilësorë dhe të fortë fizikisht. Bëmë dy gabime pas të cilave u ndëshkuam me dy gola. Ne luajtëm shkëlqyeshëm, por pësuam dy gola në fund që prishën përshtypjen. Është për të ardhur keq që për shkak të disfatës shumë do të mendojnë se nuk jemi gati, por kemi luajtur futboll shumë të mirë për 70 minuta. Kaq, duhet të luajmë 90 minuta që të kemi një rezultat të mirë. Ne jemi duke ecur përpara. Ne nuk kemi kohë, tani duhet të kemi një rimëkëmbje sa më shpejtë të jetë e mundur dhe t’i drejtohemi Ukrainës. Kemi zero pikë, por janë edhe dy ndeshje, asgjë nuk ka mbaruar. Në fund, ne do të shohim se ku jemi”, ka thënë Alioski.