2 perditesime
23:02

Belgjika e pandalshme, shënon fitoren e tretë në grup

Belgjika është bërë përfaqësuesja e radhës që ka fituar të gjitha ndeshjet në fazën grupore të Euro 2020.

Pas Italisë dhe Holandës, fitoren e tretë e ka shënuar edhe Belgjika, që avancon tutje si e para e Grupit B.

Belgjika fitoi të hënën mbrëma në St. Petersburg ndaj Finlandës me shifrat 2:0. Portieri finlandez, Lukas Hradecky shënoi autogol në minutën e 74-t, ndërsa në minutën e 81-të Romelu Lukaku realizoi për 2:0. Finlandës i është dashur një pikë për të avancuar. Tani përfundon grupin në vend të tretë me 3 pikë dhe duhet të presë rezultatet e grupeve tjera për të shikuar nëse do të kualifikohet. Por gjasat nuk i ka të mëdha.

22:45

Lukaku shënon për epërsinë 2:0 të Belgjikës

Romelu Lukaku ka vazhduar me formë të lartë në Euro 2020.

Sulmuesi i fuqishëm shënoi në minutën e 81-të për rezultatin 2:0 në të mirë të Belgjikës në ndeshjen ndaj Finlandës.

Lukakut më herët në ndeshje iu anulua një gol për pozitë jashtë loje, por ai vazhdoi sulmet dhe gjeti rrugën drejt portës.

22:36

Belgjika në epërsi, hap rrugën për kualifikimin e Danimarkës

Belgjika ka kaluar në epërsi në ndeshjen ndaj Finlandës. Pasi goli i shënuar nga Romelu Lukaku u anulua për pozitë jashtë loje, belgët vazhduan sulmet dhe në minutën e 75-të kaluan në epërsi 1:0.

Portieri finlandez Lukas Hradecky shënoi autogol. Pas një rivënie nga këndi, në zonë me kokë goditi Thomas Vermaelen.

Topi shkoi në traversë, ndërsa Hradecky në tentim për të intervenuar e shtyu topin me dorë në rrjetë. Me fitore eventuale të Belgjikës dhe fitore të Danimarkës ndaj Rusisë në ndeshjen tjetër, tutje shkojnë Belgjika e Danimarka.

Danezët po udhëheqin 2:1 ndaj rusëve.