Euro 2020

Granit Xhaka, kapiteni frymëzues në zemër të triumfit të Zvicrës

 

Nëse ka një lojtar që përmbledh mentalitetin, shpirtin dhe pasionin e shfaqur nga Zvicra në fitoren e mahnitshme ndaj Francës pas penalltive në 1/8 e finales, atëherë sigurisht që ai është kapiteni Granit Xhaka. Atij iu hoq shiriti i kapitenit te Arsenali për shkak të konfrontimit me tifozët e klubit gjatë një ndeshjeje, por kjo nuk e pengoi Xhakën që të rritet edhe më shumë për ta udhëhequr vendin e tij drejt fitores së parë në fazën e nokautit pas 67 vjetësh në një turne të madh. Kur Zvicra pati nevojë më së shumti për Xhakën, ai ishte aty dhe ndaj Francës tregoi klasin e tij në mesfushë me një vizion fantastik për lojën. 28-vjeçari nuk e pati aspak problem të përballojë dyshen e Francës, Paul Pogban dhe N’Golo Kanten, për të shkëlqyer në ndeshjen e së hënës mbrëma, që përfundoi 3:3. Xhaka kompletoi më shumë pasime se çdo lojtar tjetër në fushë dhe asistoi në golin që e dërgoi ndeshjen në vazhdime. Ai regjistroi edhe tri pasime kryesore, pati tri ndërprerje, dy ndërhyrje për t’u zgjedhur në fund lojtari i ndeshjes. Ai udhëhoqi Zvicrën në pasime, pasime përpara, pasime në gjysmën e kundërshtarit, që ishin integrale në planin e lojës pozitive që mbështeste këtë fitore historike të Zvicrës. Por Xhaka nuk e la vetëm me kaq. Ai ishte edhe frymëzues për ekipin. Pak para se të niste gjuajtje e penalltive, Xhaka u pa në qendër të ekipit të Zvicrës që ishte grumbulluar përreth tij. Ai dha udhëzime dhe inspiroi bashkëlojtarët për t’u siguruar se mund ta eliminojnë Francën. Kur portieri Yann Sommer e priti penalltinë e Kylian Mbappes për ta konfirmuar fitoren e Zvicrës, Xhaka vrapoi drejt e te përzgjedhësi Vladimir Petkoviq për ta përqafuar. Ishte një moment i veçantë si për çiftin ashtu edhe për gjithë Zvicrën.

“Ndjenja është e mahnitshme”, tha Xhaka pas ndeshjes. “Të gjithë që janë nga Zvicra mund të jenë shumë krenarë. Ne shkruam historinë, duke treguar shpirtin dhe karakterin tonë. Jam shumë krenar që jam pjesë e kësaj skuadre. Ne mund të ëndërrojmë, jemi akoma në turne, luajmë me Spanjën dhe e njohim. Na duhet e njëjta frymë luftarake sikurse ndaj Francës”.