Video

IKSHPK-ja vlerëson se 80 deri 90 për qind të mostrave janë me variantin Delta

1
 

Përfaqësuesit e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike kanë deklaruar se 80 deri në 90 për qind e mostrave që i kanë marrë së fundmi i takojnë variantit Delta. Në këtë vlerësim ka dalë IKSHPK-ja gjatë së shtunës, pasi pjesa më e madhe e mostrave të testuara kanë dalë negative për variantet Alfa, Beta e Gama

Shumica e mostrave që i ka testuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kanë dalë negative për variantin Alfa, Beta e Gama të koronavirusit. Por kjo, sipas drejtorit të Departamentit të Mikrobiologjisë të IKSHPK-së, Xhevat Jakupi, mund të jetë indikator se varianti Delta, më i rrezikshmi nga të katër variantet, është më i përhapuri.

“Diku 80 deri në 90 për qind të izolateve më të fundit të Sars koronavirusit 2 janë të variantit Delta. Edhe përderisa para 3-4 muajsh varianti Alfa ose ai britanik ishte në afër 98% të rasteve (izoluar), tash ky variant është në vetëm 7 deri në 8 për qind të izolanteve, kurse nuk gjejmë izolate të variantit Beta dhe Gama, ose atij të Afrikës së Jugut ose atij brazilian”, ka thënë Jakupi në një konferencë të përbashkët me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.