Pasuria dokumentuese e historike e gjithë shtetit ruhet brenda mureve të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. Mirëpo pavarësisht kësaj, ky institucion po përballet me probleme gjatë procesit të digjitalizimit.
Zyrtari për mikrofilmim dhe digjitalizim, Bekim Aliu, tregon për sfidat me të cilat janë përballur që nga viti 2007, atëherë kur nisi digjitalizimi e deri më sot.
“Meqenëse hulumtuesit kanë kërkuar shumë dokumente nga mikrofilmat, ne nuk kemi pasur mundësi me ble aparaturën për digjitalizim të mikrofilmave, mikrolexues. E kemi bërë një kërkesë në OSBE dhe ajo na ka mundësuar blerjen e një skaneri. Prej vitit 2007 kemi punuar në digjitalizim të mikrofilmave, deri në 2015-2016 kur kemi siguruar një software për menaxhimin e dokumenteve dhe shënimeve kemi filluar digjitalizimin e dokumenteve në letër. Pastaj përmes Ministrisë së Administratës Publike kemi blerë edhe skanerin të formatit A1, që i skanon edhe hartat”, tha Aliu.
Nga zyra prej 3 personash në staf, Bekim Aliu i përmend burimet njerëzore dhe mjetet e punës si probleme gjatë procesit të digjitalizimit.
“Stafi është i mbingarkuar, kërkesat janë të mëdha, mundësia për të ofruar materiale të digjitalizuara është e vogël, teknologjia është modeste”, shtoi Aliu.
Ai thotë se deri tash janë digjitalizuar dokumentet në bazë të gjendjes fizike, duke u marrë fillimisht me më të dëmtuarat. Ndërsa tash ata u japin prioritet dokumenteve që kërkohen nga hulumtuesit.
“Ne japim lëndën arkivore në shfrytëzim në sallën e leximit vetëm përmes formës elektronike në serverin për ruajtjen e dokumenteve. Kërkesa bëhet në sektorin e caktuar, depoja na sjell dokumentacionin, ne e kontrollojmë a ka ndonjë pjesë metalike, pastaj e digjitalizojmë”, tregon zyrtari nga Arkivi.
Ai tregon se që nga momenti që bëhet kërkesa nga pala, zyrtarët kanë 5 ditë pune për digjitalizimin e dokumentacionit të kërkuar, mirëpo nuk mund të dalin me më shumë se 3.000 dokumente brenda ditës.
“Prej 2007-s kemi skanuar 560.000 imazhe, dokumente pak më shumë, në të njëjtën kohë menaxhojmë edhe mbi 800.000 skanime që janë sjellë nga hulumtimet që i bëjmë. Duke i kombinuar këto menaxhojmë mbi 1 milion e 300 mijë dokumente", tha ai.
Në anën tjetër, pavarësisht problemeve të brendshme, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ka shënuar përvjetorin e themelimit përmes ekspozitës “70 vjet arkiv”.
Fotografi të objektit themelues, Kushtetuta e Kaçanikut, materiali i konsullës kushtetuese të Republikës së Kosovës, revista, bashkëpunime e marrëveshje dhe dokumente të tjera kanë qenë të ekspozuara për disa ditë në ambientet e Agjencisë.
Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë, Bedri Zyberaj, tregon për dokumentet më të vjetra që janë shfaqur në këtë ekspozitë.
“Dorëshkrimi më i vjetër është i vitit 1437, ndërsa dokumentin më të vjetër e kemi në vitin 1608 që është “Vakufnameja e Mehmet Pashë Kaçanikut”, thotë kryeshefi Zyberaj.
Ai tregon edhe për rëndësinë dokumenteve të Arkivit për shtetin.
“Nuk ka shtet e as komb pa arkiv, pa memorie shtetërore e kombëtare Thesarin e Arkivit e trajtojmë si të tillë, ndaj së cilës duhet të jemi të kujdesshëm si shoqëri, si institucione në mënyrë që ta ruajmë e në mënyrën më të mirë të mundshme t’ua lëmë trashëgim brezave që vinë pas nesh”, shprehet Zyberaj.
Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës është themeluar më 20 mars 1951 me vendimin e Këshillit Krahinor.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.