Veprimet tona kanë një ndikim të madh në të ardhmen e botës ku ne po jetojmë. Çdo vendim yni ndikon shumë në fatin e planetit tonë. Gjatë viteve, janë implementuar metoda të reja të cilat janë përdorur për krijimin e produkteve të ndryshme me qëllim të riciklojmë sa më shumë dhe ta mbajmë shtëpinë tonë, Tokën, një planet sa më të pastër dhe të qëndrueshëm.
Ky është edhe koncepti i ekspozitës për të promovuar një të ardhme më të qëndrueshme, duke shfaqur produkte të ricikluara të krijuara nga disenjatorë të ndryshëm sllovenë. Nga llapma e deri te veshjet ditore, ekspozita paraqet një larmi produktesh të krijuara nga materiale të ricikluara të cilat mund t’i përdorim në jetët tona të përditshme.
Tina Lampelj, e ngarkuar me punë në Ambasadën sllovene në Prishtinë, priti mysafirët në këtë ekspozitë, ku edhe i informoi vizitorët në detaje për funksionalitetin e secilit produkt të shfaqur.
Kjo ekspozitë u realizua në kuadër të kryesimit të radhës të Këshillit të BE-së nga Sllovenia (1 korrik – 31 dhjetor).
Tina Lampelj tregoi për rëndësinë që kjo ekspozitë ka dhe arsyen pse një ekspozitë e tillë është e nevojshme. Ajo po ashtu tregoi edhe për bashkëpunimin ndërmjet Ambasadës Sllovene dhe Muzeut Kombëtar dhe mundësi të tjera të bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Sllovenisë.
“Ne duam t’i ndajmë idetë e këtyre produkteve duke treguar rëndësinë e përdorimit të materialeve të ricikluara për të krijuar produkte të tjera. Ne duhet të riciklojmë sa më shumë. Duhet të mendojmë ekologjikisht sepse kështu do të kemi një të ardhme më të mirë dhe më të pasur. Dua të falënderoj stafin e Muzeut Kombëtarë që ishin shumë mbështetës dhe na ndihmuan ta sjellim këtë ekspozitë në Kosovë”, tha Lampelj.
Të pranishëm ishin edhe disa studentë të Dizajnit Industrial ku treguan përshtypjet e tyre të kësaj ekspozite.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 4 korrik, ku vizitorët mund të shohin më shumë se 30 produkte të gjitha të përpunuara në Slloveni nga disenjatorë sllovenë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.