EXPRESS

Vedat Bajrami i “Stupcave” pjesë e filmit turk “Elif Ana”

Në konferencën për medie, që është mbajtur në fundjavë në Stamboll, producentët Ökkeş Zengin, Ali Bilmeç, Hasan Bilmeç e Bilal Bilmeç kanë shpalosur detaje për film. Ky projekt kinematografik llogaritet të jetë më i madhi i realizuar deri më tash sa i përket Elif Anas, e cila vdiq më 1991
 

Kinematografia turke do të pasurohet edhe me një projekt që synon të ekranizojë jetën e një personi me mjaft ndikim, sidomos në komunitetin ku ajo veproi. Një grup filmbërësish ia kanë mësyrë që të shpalosin në projektor historinë e Elif Sugan, e cila njihet si Elif Ana.

Për komunitetin që e ka pasur prijëse shpirtërore e ata që thonë se u ndihmoi t’i kalojnë vështirësitë shëndetësore, misionarja fetare, e lindur më 1903 afër qytetit turk Pazarcık, është një shenjtore. E tillë konsiderohet edhe në Tyrben e saj në fshatin e lindjes Akdemir, që si objekt kulti numëron goxha pelegrinë. Në kastin e filmit kushtuar Anas janë edhe dy aktorë shqiptarë. Komediani Vedat Bajrami nga Kosova, i njohur si Vedati i “Stupcave”, dhe aktori nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut, Vildan Maksuti, plotësojnë mozaikun e artistëve të përfshirë në projekt.