INTERAKTIV

Kërstiq: Protestat në veri, manipulim i serbëve nga Vuçiqi

 

Branislav Kërstiq, analist politik serb nga veriu i Kosovës, ka thënë se protestat e së premtes në veri të Kosovës, kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës që të mos lejohet organizimi i zgjedhjeve të Serbisë, është tjetër manipulim i serbëve lokalë. Sipas tij, manipulatorët janë presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Lista Serbe.

“Ky është një tjetër manipulim klasik i serbëve në Kosovë. Përfundimisht kemi një situatë ku hapet një çështje e thjeshtë, se cili ishte qëllimi i këtyre protestave dhe pse i detyruan njerëzit të dalin në rrugë, veçmas, në momentin kur dihet se Qeveria dhe Kabineti i Presidentit Vuçiq kishte marrë vendim që ato zgjedhje të mbahen në qytetet më të afërta, në jug, gjegjësisht në perëndim të Serbisë. Pra jemi dëshmitarë të një manipulimi të qartë nga kabineti i Vuçiqit dhe Listës Serbe. Kjo nuk është hera e parë që gjithçka i nënshtrohet fushatës së Vuçiqit në prag të zgjedhjeve në Serbi. Protesta do të kishte kuptim nëse do të bëhej presion ndaj Qeverisë së Kurtit për të lejuar zgjedhjet serbe në Kosovë”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së të premten mbrëma.