INTERAKTIV

Gazetarja portugeze tregon tmerrin që ka parë në Bucha

 

Ana Relvas França, gazetare portugeze, ka rrëfyer në Interaktiv të KTV-së, tmerrin që ka parë në Bucha të Ukrainës, pak ditë pasi trupat ruse vranë qindra civilë në kohën kur po largoheshin nga qyteti. Të premten ajo ka treguar se për disa ditë ka parë trupa të fëmijëve të vrarë, viktima që ishin vrarë teksa mbaheshin me duar të lidhura prapa, trupa të copëtuar e shenja cigaresh në trupa.

“Janë gjetur trupa në vetura që kishin provuar të iknin nga qyteti dhe janë vrarë brenda veturave. Kështu, trupa të njerëzve kanë qëndruar për ditë të tëra në rrugë, pasi qyteti ishte i pushtuar nga rusët dhe civilët nuk mund t’i tërhiqnin trupat. Por pasi shkuan rusët, qytetarët i larguan të vrarët dhe i vendosën në Kishë, nga tri varreza masive. Dhe natyrisht, në Kishë provonin t’i identifikonin se kush ishin të vrarët dhe pastaj t’i varrosnin në mënyrë të duhur. Ukraina është një vend fetar dhe shumë njerëz më kanë thënë se sa ndihen të lënduar për faktin se që nuk e dinë ku i kanë familjarët e tyre ndonëse me shumë gjasë të vdekur dhe se nuk mund të organizonin funeralin për ta”, ka rrëfyer gazetarja.