Shkolla në Busavatë shpërfill Kastratin, vazhdon mësimin

Leonita Bajrami 11 September 2019 20:38

Edhe pse janë bërë gati për një ditë të zakonshme të shkollës, këta nxënës të shkollës fillore "Hasan Prishtina", në Busavatë nuk kanë kushte për të mbajtur mësimin.

Kjo është njëra nga disa shkollat, për të cilat Komuna e Kamenicës ka marrë vendim që të mbyllen.

Vendimin nuk e kanë përfillur drejtuesit e shkollës, por për këta nxënës nuk janë shpërndarë libra.

Drejtori i shkollës, Abedin Maliqi, thotë që nuk janë shpërndarë as ditarët.

Ai thotë që janë të vendosur që nuk do ta ndalin procesin mësimor.

Sipas vendimi të Komunës, nxënësit e kësaj shkolle do të duhej të vijonin mësimin në shkollën "Fan S. Noli”, në Kamenicë.

Por, në këtë shkollë nuk e kanë pritur mirë vendimin e Komunës.

Aty, nxënësit e ciklit të lartë nuk kanë mbajtur mësim, për shkak që u është ndërruar orari.

Lidhur me këtë, ka reaguar edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit.

Në një njoftim për media, ata thonë se gjendja në këto shkolla është alarmante.

“Në këtë situatë, kur gjendja në shkollat në Kamenicë është alarmante e me qëllim që të kthehet atmosfera e punës e pa stres e presione, SBASHK-u i drejtohet publikisht MASHT-it që të veprojë në stabilizimin e gjendjes atje”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

Ndërkaq, i pari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, thotë se shkolla e Busavatës po vepron ilegalisht.

Më tutje, ai ka shtuar se nëse SBASHK-u vazhdon të ndërhyjë, sipas tij, në mënyrën e organizimit të sistemit arsimor në Kamenicë, do të inicojë edhe procedura ligjore.

Kundër thirrjes së SBASHK-ut është shprehur edhe KMDLNJ-ja.

KMDLNJ-ja vlerëson se ndërhyrja e SBASHK-ut në përgjegjësitë ekskluzive të Komunës së Kamenicës në fushën e arsimit, është e kundërligjshme, e dënueshme dhe e papranueshme.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme