Shqiptarë e serbë në Biti s’e ndalin protestën kundër hidrocentralit, pa lum thonë s’kanë jetë

Fitim Majkovci 30 September 2019 20:57

Prania e televizionit ua ndali punën në gjysmë ekskavatorëve në fshatin Biti e Poshtme të Shtërpcës.

Punimet këtu kanë dëmtuar rrjedhën e lumit Lepenc duke e kthyer atë në deponi mbeturinash dhe kanalizim të hapur.

Për banorët e Bitisë, ndërtimi i hidrocentralit në këtë zonë i dëmton ata, për çka edhe janë mbledhur të protestojnë.

Për protestat e vazhdueshme dhe pengimin e punimeve në Biti të Poshtme, banorët thonë se ka pasur edhe arrestime.

Derisa dëmtimet në lumë dhe nëpër prona, kanë bërë që edhe serbët e zonës t’i bashkohen protestës.

Për Radoica Mrdjinac, ndërtimi i hidrocentralit këtu vetëm sa i dëmton bukuritë e vendit, të cilat ata janë të gatshëm t’i mbrojnë.

“I ftoj të gjithë zyrtarët e Kosovës, dërgoni policinë ose këdo tjetër këtu edhe nëse duhet të na vrasin, sepse nëse na i marrin lumenjtë, jeta nuk na duhet. Deri në fund të jetës do të luftojmë kundër kësaj”, ka thënë Mrdjinac.

Për ndërtimin e hidrocentralit në Biti, ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, pati deklaruar para komisionit për mjedis, se ndërprerja e punimeve nuk është kompetencë e tij, por e deputetëve që mund ta ndryshojnë Ligjin aktual.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme