Komuna e Drenasit deklarohet për hapjen e ish-udhëkryqit të Komoranit, thotë se Lekaj veproi jashtëligjshëm

Ministria i përgjigjet komunës për hapjen e ish-udhëkryqit të Komoranit

03 October 2019 14:45
17:12

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka reaguar ndaj deklaratës së komunës së Drenasit për vendimin për hapjen e ish-udhëkryqit të Komoranit.

Komuna e Drenasit kishte thënë se ky veprim ishte në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe se paraqet rrezik për sigurinë në komunikacion.

Në anën tjetër, ministria ka thënë se vendimi kishte ardhur pas kërkesë së qytetarëve dhe bizneseve.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti ata të Drenasit se vendimi për hapjen e ish-udhëkryqit të Komoranit ka ardhur pas kërkesës së vazhdueshme të banorëve dhe bizneseve vendase”, thuhet në reagim të MIT-së.

Kjo ministri ka thënë se ka ndjekur procedurat e parapara me ligj dhe se po planifikon vendosjen e një rrethrrotullimi të përkohshëm, në formë testimi, para vendosjes së rrethrrotullimit të përhedhshim.

“MIT si gjithnjë ndjek të gjitha procedurat e parapara me ligj, njëjtë sikur rastin në fjalë. Drejtoria e Menaxhimit të Rrugëve dhe Komisioni për vendosjen e rrethrrotullimeve kanë dhënë rekomandimin për vendosjen e një rrethrrotullimi në këtë zonë. Para vendosjes së atij të përhershmi, kompania projektuese e kontraktuar nga MIT, po planifikon vendosjen e një rrethrrotulimi të përkohshëm, përmes së cilit do të testohet ndikimi që do të ketë ky ndryshim në komunikacion”, thuhet tutje në reagim.

MIT ka thënë se, sipas Ligjit për Rrugët, kjo ministri është përgjegjëse për rrugët publike nacionale, rajonale dhe autoudhët.

“Prandaj i bëjmë thirrje udhëheqësisë lokale që mos të shkaktojë panik me shpifje tek qytetarët e saj, për përfitime personale në këtë moment. Ju rikujtojmë që dy vitet e fundit komuna e Drenasit, ashtu si edhe të gjitha të tjerat në mbarë Kosovën, janë përfituese të ndihmës së madhe të MIT edhe në projekte lokale, karshi atyre të karakterit rajonal dhe nacional”, thuhet në fund të përgjigjes së MIT-së ndaj Komunës së Drenasit.

14:45

Komuna e Drenasit deklarohet për hapjen e ish-udhëkryqit të Komoranit, thotë se Lekaj veproi jashtëligjshëm

Komuna e Drenasit përmes një komunikate për media ka thënë veprimi i ministrit në detyrë të Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj për hapjen e ish-udhëkryqit të Komoranit është në kundërshtim me ligjin dhe është bërë për përfitime politike.

Përmes një postimi në Facebook, Lekaj dje ka postuar disa foto nga udhëkryqi i Komoranit ku thoshte se, “udhëkryqi i Komoranit duhet të jetë në dobi të qytetarëve. Prandaj sot e zhbllokuam për qarkullim të lirë, me kërkesë të banorëve dhe bizneseve të vendit”.

Këtë veprim Lekaj e ka bërë vetëm për efekt elektoral, pasi sot udhëkryqi është i mbyllur, e që dëshmohet edhe me këtë video të siguruar nga Koha Ditore që është incizuar rreth orës 10:10.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e Komunës së Drenasit:

Komuna e Drenasit, lidhur me deklarimet për hapjen e ish-udhëkryqit të Komoranit, ndjen për obligim të sqarojë qytetarët dhe opinionin e gjerë, se veprimet e disa individëve që dëshirojnë të përfitojnë politikisht, përveç që janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, të njëjtat janë edhe dashakeqe dhe paraqesin rrezik për sigurinë në komunikacion.

Fillimisht, për hapjen e ish-udhëkryqit të Komoranit do të duhej të ndiqen procedura të nevojshme, si dhe të bëhen vlerësime nga ana e ekspertëve të komunikacionit, dhe se asnjë person, në asnjë rrethanë, nuk mund të marr vendime të kësaj natyre, pa respektuar në përpikëri legjislacionin në fuqi, ku në rastin e lartcekur nuk është prezantuar asnjë vendim, pëlqim apo leje.

Për këtë çështje, duke marrë parasysh shqetësimin e qytetarëve tanë, Inspektorët Komunal me mirëkuptim kanë kërkuar të informohen nga Ministri në largim, Pal Lekaj, se a ka vendim të kësaj natyre. Mirëpo, të njëjtit nuk kanë hasur në bashkëpunim, dhe për më tepër ata kanë marrë kërcënime nga ana e Ministrit Lekaj, i cili iu është përgjigjur se mund të iniciojë ‘Kallëzime Penale’ për inspektorët tanë.

Të nderuar qytetarë të Drenasit, të gjithë e kemi të njohur faktin për numrin enorm të aksidenteve të shkaktuara në atë pjesë para ndërtimit të Autostradës M9, dhe vetëm mendimi për hapjen e tij pa asnjë analizë të ekspertëve, nënkupton rrezikim të gjithë atyre që kalojnë në atë pjesë, duke marrë parasysh se është autostrada më e frekuentuar në Kosovë.

Të nderuar qytetarë, veprimi i djeshëm i pa precedent dhe i papërgjegjshëm, ka shkaktuar edhe aksidente komunikacioni, për të cilat veprime organet e sigurisë do të duhej që të ndjekin procedurat e nevojshme, në mënyrë që shkaktarët e këtyre aksidenteve të vihen para përgjegjësisë.

Të nderuar qytetarë, ju ftojmë të mos bini pre e provokime të disa individëve, të cilët tentojnë të shkaktojnë vetëm konfuzitet për përfitime të ulëta, sepse edhe ata e kanë të njohur faktin që një gjë e tillë, nuk mund të bëhet pa ndjekje të procedurave.

Qytetarë të nderuar, ashtu siç jeni të informuar, kryetari Lladrovci ka qenë faktori kyç që rruga katër korsi të kaloj përmes Komoranit, duke ju mundësuar të gjithë banorëve dhe bizneseve të kenë qasje me të lehtë, rrjedhimisht zhvillim ekonomik të kësaj pjese.

Andaj, kryetari Lladrovci dhe Komuna e Drenasit është duke punuar vazhdimisht që çështja e ish-udhëkryqit të Komoranit të zgjidhet me rastin e ndërtimit të rrugës me katër korsi Skenderaj – Drenas - Komoran.

 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme