Shkolla e mjekësisë në Pejë ndalon tërësisht celularët

Shkolla e mjekësisë në Pejë ndalon tërësisht celularët

Ilir Osmanaj 09 October 2019 11:01

Për dallim nga shkollat e tjera në Pejë, nxënësit e shkollës së mjekësisë nuk shihen që mbajnë në dorë celularë. Jo pse ata kanë hequr dorë prej tyre, por për kohën sa janë në shkollë celularët nuk i mbajnë me vete, ndonëse me celularë kanë ardhur në shkollë. Në këtë shkollë ka gati një vit që jo vetëm se ndalohet përdorimi i tij gjatë procesit mësimor, por edhe mbajtja e tij, pavarësisht se a e ka fikur.

Në secilën klasë të kësaj shkolle gjendet një dollap i vendosur, në të cilin nxënësit i fusin celularët e tyre për kohën sa janë në shkollë dhe i marrin pasi përfundon mësimi. Ky organizim i mospërdorimit të celularëve as mes orëve të mësimit, siç thotë drejtori i kësaj shkolle, Artan Demaj, është bërë në iniciativë dhe në pajtueshmëri të përbashkët të nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve, shkruan sot Koha Ditore.

“Në fund ka qenë edhe pëlqimi i këshillit të shkollës për këtë formë të futjes se celularëve në dollapë dhe kjo formë është duke funksionuar shumë mirë. Fillimisht dollapët kanë qenë të vendosur në korridor, por e kemi parë që bëhej tollovi, dhe kemi biseduar dhe kemi ardhur në përfundim që këta sirtarë të vendosen nëpër klasë. Tash i kemi zhvendosur ato brenda nëpër klasa”, thotë Demaj.

E nëse nxënësi ka nevojë për celular, për ndonjë rast të jashtëzakonshëm që ta kontaktojë familjen, Demaj tregon se nxënësit, por edhe prindërit mund të kontaktojnë përmes telefonit të shkollës.

“Për çdo rast nxënësit e përdorin telefonin e shkollës, sikurse edhe prindërit, të cilët e kanë numrin e telefonit të shkollës”, tregon Demaj mundësinë e komunikimit të nxënësve me familje në rast nevoje. Sipas tij, kjo formë e marrjes së celularëve ka qenë një nevojë e kamotshme, pasi, siç shtoi ai, metodat e përdorura më herët për ta adresuar këtë situatë nuk kanë qenë aq efektive. Kjo ide i ka lindur shkollës edhe duke parë mangësitë e mësimnxënies në shkollë nga efektet e përdorimit të telefonave. Demaj tha se mospërdorimi i telefonave gjatë procesit mësimor vlen edhe për mësimdhënësit. Për marrjen e celularëve, pa të cilin, sidomos të rinjtë, vështirë që kalojnë disa minuta pa ia lëshuar syrin, nxënësit e kësaj shkolle nuk e kanë më problem pasi, sipas tyre, është bërë shprehi e përditshme.

Këtu mund ta lexoni FALAS, numrin e sotëm të Kohës Ditore.

“Telefonat i japim si të vijmë dhe i marrim si të kryhet mësimi. Nuk e kemi më problem, se tashmë jemi mësuar pa celularë gjatë kohës sa jemi në shkollë”, shprehen disa nxënës njëzëri në korridor, derisa prisnin të hynin në klasë. E kur të hyjnë në klasë menjëherë nuk u vërsulën bankave ku ulen, por së pari presin në radhë njëri pas tjetrit për ta dorëzuar telefonin, të cilin e fikin paraprakisht. Vatra Kurbogaj, kryetare e njërës prej klasave në këtë shkollë, tregon se dorëzimi i telefonit është bërë rutinë në shkollë dhe se sipas saj të gjithë nxënësit e dinë se duhet t’i dorëzojnë telefonat.

“Nuk ka aspak probleme dhe secili nxënës tashmë tregohet i sinqertë, i kuptueshëm dhe nuk heziton me dhanë telefonin. Secili nxënës kur hyn në klasë së pari ndalet te dollapi, e fik telefonin dhe e vendos atë në vendin e vet ku e ka me numër, sipas numrit që ka nxënësi në ditar”, tregon ajo si shkon kjo procedurë kur nxënësi hyn në klasë para se të nisë ora e parë e mësimit. Pasi mbyllet dollapi çelësin pastaj e merr dhe e mban kujdestari i javës apo kryetari/ja e klasës dhe në fund të procesit mësimor hapet dollapi dhe secili nxënës e merr celularin e vet. “Ky është një shembull i mirë për shkollat e tjera dhe ky organizim është i mundshëm vetëm kur ekziston bashkëpunimi i mirë me prindër, të cilët përkrahin shkollën për atë vendim”, thotë drejtori i kësaj shkolle Artan Ademaj.

Këtë formë të mbajtjes së celularëve nën dry nuk është duke e praktikuar asnjë shkollë tjetër në Komunën e Pejës e as në komunat e tjera përreth në këtë rajon. Në nëntor të vitit të kaluar Ministria e Arsimit kishte sjellë vendimin për ndalimin e përdorimit të telefonit gjatë procesit mësimor nga mësimdhënësit dhe nxënësit, në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar. Por me këtë vendim nuk është urdhëruar që telefonat të mbahen të mbyllur në ndonjë vend gjatë mësimit, por vetëm ndalimin e përdorimit të tij gjatë orës së mësimit.

“Shkolla e mjekësisë ka vendosur vetë që të futen celularët në sirtarë, kurse shkollat e tjera në komunën tonë nuk e praktikojnë të njëjtin mënyrë të ndalimit”, thotë drejtori i Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj, sipas të cilit vendimi i sjellë vjet nga ministria është duke u zbatuar dhe zbatimi i tij, siç shtoi ai, është duke u mbikëqyrur nga drejtorët e shkollave. Shembull të njëjtë si shkolla e mjekësisë nuk ka të organizuar ende asnjë shkollë e Komunës së Istogut. Nxënësit kryesisht, siç thotë drejtori i Arsimit në këtë komunë, Hajrush Shoshi, i ndalin celularët kur hyjnë në mësim.

“Por, ka nevojë me ndërmarrë një iniciativë të ngjashme si shkolla e mjekësisë, që me bë njëjtë edhe nëpër shkollat tona. Përndryshe vendimi për ndalimin e celularëve e kanë shtrënguar goxha fort në shkolla, se edhe me drejtorë të shkollave kam biseduar që ai vendim me u zbatua dhe po zbatohet çdo ditë e më shumë. Raste nuk kemi të shënuara për ndonjë problem kurse edhe disiplina ka nisur të rritet. Por kjo punë shkon më ngadalë se kemi nevojë edhe më tej derisa të bëhet shprehi e kulturës së nxënësve në shkolla”, thotë Shoshi. E në Komunën e Klinës vendimi i ministrisë për ndalimin e përdorimit të celularit sikur nuk ka mjaftuar dhe atij vendimi ia kanë shtuar edhe rregulloren komunale për ndalimin e përdorimit të celularit gjatë procesit mësimor në shkollë.

“Me infrastrukturë ligjore jemi të kompletuar, por ende nuk kemi ndonjë vendim të veçantë që nxënësit nëpër shkolla me i dorëzua celularët kur hyjnë në mësim dhe me i marrë kur mbaron mësimi. Ky model i shkollës së mjekësisë është shumë i mirë dhe këtë formë të organizimit duhet ta mendojmë për të ardhmen që të praktikohet edhe në shkolla tjera”, thotë drejtori i Arsimit në Klinë, Arben Limanaj. Sipas tij, vendimi i Ministrisë dhe Rregullorja komunale për ndalimin e përdorimit të celularit në përgjithësi janë duke u zbatuar.

“Në rastet kur është zënë nxënësi në orën e mësimit duke përdorur celularin, mësimdhënësi ia ka marrë dhe ai apo drejtori i shkollës e ka thirrur prindin që me shkua me marrë celularin, se nxënësit nuk ia kthejnë. Në përgjithësi jemi duke u munduar që të zbatohen sa më mirë vendimi dhe rregullorja”, thotë Limanaj. Një dollap për celularë e kërkon kot edhe në shkollat e Komunës së Deçanit, në të cilat, sipas drejtorit të Arsimit në Deçan, Bekim Vishaj, nuk praktikohet një mënyrë e tillë e marrjes dhe mbajtjes së celulareve.

“Dollap për celularë nëpër shkolla nuk kemi të praktikume dhe nuk kam njohuri që ndonjë shkollë në komunën tonë ka ndonjë organizim të tillë për celularët, si shkolla e mjekësisë. Por, përdormi i celularit është i ndaluar në shkolla tona dhe nuk kemi telashe për zbatimin e atij vendimi. Jam qe një vit drejtor i Arsimit dhe deri tash nuk ka pasur ndonjë rast që është shkaktuar mes ndonjë mësimdhënësi me nxënës për përdorimin e celularit në orë të mësimit”, thotë Vishaj.

Këtu mund ta lexoni FALAS, numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme