Sërish protesta kundër hidrocentralit në Shtërpcë Foto: Koha

Degradimi i lumit Lepenc edhe sot nxiti proteste në Biti të Shtërpcës

Leonita Bajrami dhe Petrit Daku 09 October 2019 10:26
19:24

Degradimi i lumit Lepenc ka nxitur edhe një protestë të radhës, në fshatin Biti të Shtërpcës.

Nën moton “Uji është jetë, trajtojeni drejt”, banorët kërkuan që të mos u ndërpritet, siç e quajnë ata, burimi kryesor i jetës së tyre, raporton KTV.

E, kësaj radhe, bashkë me banorët e fshatit, u bashkua edhe Shoqëria civile.

Diana Metushi, në emër të OJQ-ve, tha se banorëve të Bitisë u është marrë e drejta për të vendosur mbi pronat e tyre.

E, në kundërshtim të ndërtimit të hidrocentralit ka dalë edhe Federata e Bjeshkatarëve “Alpinistët e Kosovës”.

Ndërkaq, gjatë protestës, banorëve të Bitisë u është premtuar ndalja e degradimit të lumit.

Më herët gjatë javës, Policia e Kosovës ndërhyri me dhunë mbi protestuesit.

E, për këtë arsye, Avokati i Popullit ka nisur edhe hetime.

Në protestën e cila u shpërnda e qetë, numri i policisë ishte më i shtuar e prezente ishin edhe njësite të KFOR-it.

Banorët e Bitisë së Shtërpcës po kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit në lumin Lepenc, pasi që, sipas tyre, askush nuk i ka njoftuar për punimet që do të kryhen aty.

Madje, të njëjtit kanë ngritur edhe padi ndaj Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

10:26

Sërish protesta kundër hidrocentralit në Shtërpcë

Në fshatin Biti e Poshtme të Shtërpcës, përsëri banorët kanë dalë për të protestuar, raporton KTV.

Me ta është duke biseduar një polic që atyre po u thotë se nuk do të ketë ngjarje sikur ato të djeshmet, ku u lënduan disa persona.

Prezent janë edhe pjesëtarë të KFOR-it, që po bisedojnë me banorë.

Dhjetëra të lënduar, përfshirë edhe fëmijë, nga intervenimi i Policisë në protestën në Shtërpcë kundër hidrocentralit

E gjithashtu prezent janë edhe përfaqësues të KDI-së, të cilët do të asistojnë banorët për një padi.

Banorët me këtë rast kanë treguar se spreji i përdorur dje ndaj protestuesve, gjithashtu është përdorur edhe ndaj fëmijëve.

  • Foto: Koha
  • Foto: Koha

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme