Kosovë

Deçani do të mbjellë 10 mijë fidanë në hapësira të reja gjelbëruese

Deçani do të mbjellë 10 mijë fidanë në hapësira të reja gjelbëruese

Komuna e Deçanit ka planifikuar që deponitë e deritashme ilegale të mbeturinave të shndërrohen në hapësira të gjelbëruara. Sipas Komunës, deponitë ilegale që ishin në disa lokacione të kësaj komune, tashmë janë larguar dhe këto hapësira, siç njoftoi të hënën, zyra për informim e kësaj komune, do të kthehen në gjelbërim.

“10 mijë fidanë të rinj do të mbillen në Komunën e Deçanit. Kjo është bërë e ditur nga kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, gjatë një takimi të përbashkët me bashkëpunëtorë të dikastereve përkatëse, si dhe me përfaqësues të fshatrave ku do të mbillen fidanët”, thuhet në njoftimin e kësaj komune. Aksioni për mbjelljen e fidanëve, siç njoftoi kreu i Deçanit, do të nisë gjatë kësaj jave. Fidanët do të jenë kryesisht pishë, dhe se ato janë siguruar nga Agjencia Pyjore e Kosovës.