Shkarkohet drejtori i Arsimit pa u ditur arsyeja

Shkarkohet drejtori i Arsimit pa u ditur arsyeja

24 October 2019 09:18

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka shkarkuar drejtorin e Arsimit në këtë komunë, Arben Limanaj.

Drejtori i shkarkuar vjen nga subjekti i LDK-së, e cila është njëra prej tri subjekteve politike (LDK, LVV dhe Nisma) që kanë hyrë në bashkëqeverisje në Komunën e Klinës, me AAK-në fituese të zgjedhjeve të fundit lokale, të cilat përbënin ish-bllokun opozitar në Klinë. “Koha Ditore” ka kontaktuar drejtorin e shkarkuar, Arben Limanaj, i cili ka konfirmuar shkarkimin e tij.

“Kryetari i Komunës ka kërkuar nga unë që të jap dorëheqje. Madje nuk ka kërkuar drejtpërdrejt, por përmes të tjerëve. E kur unë nuk kam pranuar, sepse unë nuk kam pasur arsye pse me dhënë dorëheqje, ai e ka lëshuar vendimin e shkarkimit tim, pa treguar arsyet pse më ka shkarkuar. Ka mund së paku në sy që të më tregojë arsyet pse po më shkarkon, por nuk e ka bërë, sepse ai edhe nuk ka pasur arsye të më shkarkojë, por ky ka qenë thjesht një vendim politik”, ka thënë Limanaj. Ai ka pohuar se nuk do t’i shkojë gjatë koalicionit në këtë komunë.

Gazeta ka tentuar ta kontaktojë disa herë gjatë ditës së mërkurë kryetarin e Klinës, Zenun Elezaj, por ai nuk ka qenë i qasshëm. Shkarkimin e drejtorit të Arsimit, që vjen nga radhët e LDK-së, e ka konfirmuar edhe kryetar i degës së LDK-së në Klinë, Fadil Gashi, i cili është edhe kryesues i Kuvendit Komunal të Klinës.

“Gjithçka është në rregull me koalicionin dhe nuk është në rrezik koalicioni dhe nuk e ka përmendur kush deri tash. Ky shkarkim është bërë në koordinim me partnerin në qeverisje, që po ndodh në kuadër të reformave dhe ndryshimeve në Komunë, pasi ekzekutivi është në fazën e riformatimit. Në kuadër të këtij reformatimi, në rrezik që të ndërrohen nuk janë vetëm edhe dy drejtorët tjerë të LDK-së, por të gjithë drejtorët në Komunën e Klinës mund të ndërrohen”, tha Gashi për “Kohën Ditore”, pa treguar nëse LDK-ja dhe kreu i Komunës nuk kanë qenë të kënaqur me performancën e drejtorit të shkarkuar të Arsimit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme