Në Mitrovicë diskutohet mbi Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve

Në Mitrovicë diskutohet mbi Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve

24 October 2019 14:54

Në Mitrovicë sot u mbajt tryezë e diskutimit me temën “Ligji për mbrojtjen e fëmijëve”. Në këtë tryezë të organizuar nga ATRC dhe “Save the Children”, u diskutua mbi rregullativën ligjore që mbron fëmijët, promovon dhe kujdeset për zbatimin e të drejtave dhe lirive të fëmijëve, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në këtë takim morën pjesë nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, drejtori i Arsimit, Egzon Jashari, drejtoresha për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Nazan Kërveshi, përfaqësues nga Policia e Kosovës, nga Qendra për Punë Sociale, nga Njësia për të Drejta të Njeriut, drejtorë të shkollave, anëtarë të Kuvendit të Komunës si dhe organizata të shoqërisë civile.

Në fjalën e tij nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, theksoi se, “ne si institucione komunale e kemi për obligim t’i realizojmë dhe t’i përkrahim të gjitha ligjet të cilat kanë të bëjnë me interesin e qytetarëve”.

Po ashtu nënkryetari Mujka tha se komuna është e fokusuar të krijojë një mirëqenie të mirë për të gjithë qytetarët, e veçmas për fëmijët me nevoja të veçanta, në mënyrë që të bëhet integrimi i tyre në shoqëri.

“Përkundër buxhetit të kufizuar, komuna në vazhdimësi është munduar të krijoj kushte për fëmijët si në shkollim, ashtu edhe në ofrimin e kujdesit mjekësor”, tha Mujka.

Ndërsa Jashari tha se shkollat e kanë një rol shumë të rëndësishëm jo vetëm në arsimim por edhe në edukimin e fëmijëve.

Udhëheqësi i Njësisë për të Drejta të Njeriut, Fitim Rama, potencoi se komuna ka të funksionalizuar Asamblenë Komunale të Fëmijëve si mekanizëm institucional për avancimin e kësaj agjende në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, duke i shtuar këtu edhe Rregulloren Komunale për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, rregullore kjo e cila do të kaloj për miratim në kuvend pasi të hyjë në fuqi Ligji për mbrojtjen e fëmijëve.

Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të fëmijëve janë prioritet i Komunës së Mitrovicës në kuadër të kujdesit institucional për sigurinë dhe familjen.

Diskutuesit në këtë takim, përveç informacioneve që morën për këtë temë, dhanë edhe komentet, sugjerimet dhe vërejtjet në funksionimin institucional për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme