Në Gjilan shtrohet Darka e Lamës, Haziri thotë se po e vazhdon traditën e ish-presidentit Rugova

Në Gjilan shtrohet Darka e Lamës, Haziri thotë se po e vazhdon traditën e ish-presidentit Rugova

25 October 2019 18:21

Të premten në Gjilan është organizuar Darka e Lamës.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka njoftuar organizimi i saj vije si vazhdim i traditës së ish-presidentit Ibrahim Rugova i cili të njëjtën e organizonte në kryeqytet.

Ndonëse kjo darkë nga ish-presidenti Rugova organizohej në Prishtinë, presidenca nuk ka dhënë shenja që do ta vazhdojë traditën e organizimit të kësaj darke në kryeqytet.

I pari i gjilanasëve, Lutfi Haziri, tha se po e vazhdojnë këtë akt falënderimi, si traditë që e la presidenti historik, Ibrahim Rugova.

“E premtja e fundit të tetorit në kalendarin e shqiptarëve shënon përfundimin dhe mbjelljen e bereqetit, shtrimin e sofrës së Darkës së Lamës. Këtë na e la trashëgimi presidenti Rugova dhe ne në Gjilan asnjëherë nuk e kemi lënë anash. Ka qenë vit i thatë për Gjilanin, pasi jemi njëri prej regjioneve që po e vuan thatësinë e ujit, por ka qenë vit i bereqetshëm sa i përket të mirave dhe begatisë, falë punës dhe djersës së njerëzve që e punojnë tokën dhe jetojnë prej saj. Ata i dhanë dimension zhvillimit lokal ekonomik sepse bujqësia mbetet promotori kryesor i zhvillimit”, tha Haziri.

“Në rrafshin e dytë, janë ata që po udhëheqin me ekonomi përtej Gjilanit, duke u bërë brende të njohura në Evropë. Kudo që shkruan Made in Kosova, shumica e produkteve prodhohen në Gjilan dhe janë krenaria jonë, për të cilët unë jam shumë falënderues. Këto brende janë, Fluidi, Frutomania, Ask Foods, Konsoni, Calabria, Malësia, Kabi, Bio Produkt, Floi, Dea dhe të gjitha kompanitë tjera që kanë kaluar në prodhim. Si pjesë e saj, begatohet edhe sonte Darka e Lamës. Uroj që kjo traditë të vazhdojë brenda familjeve tona. Uroj çdo familje që të ketë begati”, shtoi ai.

Drejtori i Bujqësisë në këtë komunë, Ramiz Ramadani, tha se sot po nderohet puna e secilit fermer dhe secilit agropërpunues.

“Gjatë kësaj feste, bëhen falënderime për të mirat që na i ka falë Zoti këtë vit dhe lutemi që të na dhurojë më shumë të mira në vitin tjetër. Sot, nderojmë punën e secilit fermer, e në veçanti, punën e secilit agropërpunues gjilanas, të cilët po ndërtojnë brendet e tyre me cilësi të nivelit europian”, tha ai.

Ramadani ka falënderuar partnerët të cilët ndihmuan në zhvillim të kapaciteteve si, USAID, Komisionin Europian, IADK, sikurse edhe dy kompanitë, Hib Petrol dhe Shell Kosova, për subvencionimin e naftës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Kemi05/11/2019 15:11

Oh mjert ne çka po shofim në kët rruzull toksor ,edhe ky po tregohet proRUGOVIAN.Nëse i qesim në një "terezi" ( Peshore) me Thaçin ky ia kalon edhe Thaçit.Të mjert ne kend e kemi në krye të Shtetit.Por sigurisht kan gjet para të padhimshme të taksapaguesve dhe krejt normale është për ata se i bëjnë RRUSH E KUMBULLA.

Shto koment

Të ngjashme