Nxënësit e Novobërdës mbesin pa transport për shkollë shkaku i procedurave të prokurimit

Dorentina Thaqi Dorentina Thaqi 30 October 2019 21:25

Ka rreth dy javë që nxënësit e fshatrave të Komunës së Novobërdës kanë mbetur pa transport që i dërgon deri në shkollë.

Shkaku i kësaj, drejtori i shkollës fillore “Minatori” në Novobërdë, thotë se disa nxënës edhe nuk e vijuan mësimin për këto ditë, raporton KTV.

E njëri ndër ta është edhe Valdrin Vllasaliu, nga fshati Vllasali, i cili thotë se i është dashur disa herë që në këmbë të shkojë në shkollë.

Sipas zyrtarëve të Komunës, e gjithë kjo ka ndodhur shkaku i vonesave të procedurave të prokurimit, pasi që njëri operator është ankuar.

Bajrush Ymeri, nënkryetar i Komunës së Novobërdës, ka treguar se gjatë së mërkurës kanë angazhuar një kompani private derisa të zgjidhet kjo çështje.

Komuna e Novobërdës për rreth 10 vjet vazhdimisht ua ka mbuluar shpenzimet e transportit rreth 200 nxënësve, të cilëve u duhet ta vijojnë mësimin në Novobërdë dhe në fshatin Llabjan të kësaj komune.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme