Kosovë

Agjencia e Ushqimit vendos t`i asgjësojë 3.5 tonë mish të “Buqukut” në Pejë

Agjencia e Ushqimit vendos t`i asgjësojë 3.5 tonë mish të “Buqukut” në Pejë

Mishi i bllokuar dhe i ndaluar për qarkullim në fabrikën e përpunimit të mishit “Buquku” në Pejë do të asgjësohet i tëri, sipas vendimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Ky mish ishte bllokuar, për shkak se, sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, nuk i kishte plotësuar kushtet për konsum. Në atë fabrikë të shtunën policia dhe Inspektorati i AUV-ut gjatë fundjavës kanë zhvilluar një aksion të kontrollimit, ku janë gjetur për prodhim 3 mijë e 450 kilogramë mish.

Sipas Prokurorisë, kjo sasi e mishit ishte blerë në mënyrë të rregullt por vendi ku ishte vendosur ka pasur edhe lëkura të lopëve, si dhe temperatura nuk ka qenë -18 gradë, por që në rastin konkret ka rezultuar në plus 7 gradë. Gjatë këtij aksioni gjithashtu, sipas Prokurorisë, janë konfiskuar edhe 7 gjedhe pa numër identifikues, respektivisht nuk i kanë pasur matrikulat në vesh, dhe ato, sipas Prokurorisë, janë konfiskuar nga dogana për kundërvajtje doganore.