Banorë të Kamenicës i ankohen deputeteve për reformën në arsim

Banorë të Kamenicës i ankohen deputeteve për reformën në arsim

Feim Azemi 28 January 2020 10:59

Banorët në komunën e Kamenicës kanë kërkuar angazhimin nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që t`i shfrytëzojnë mjetet ligjore dhe ta ndalojnë reformën e iniciuar nga kryetari i komunës, Qëndron Kastrati. Sipas tyre reforma parasheh mbylljen e shkollave në vendbanime dhe transferimin e nxënësve në shkollat e tjera.

Kryetari i lagjes “Qendra” në Kamenicë, Ruzhdi Qehaja ka deklaruar se është e domosdoshme që çështja të procedohet dhe të trajtohet në Kuvendin e Kosovës sepse pushteti komunal nuk është duke i përfillur shqetësimet e banorëve dhe reforma po vazhdon.

Ndërkaq sipas kryetarit të fshatit Koretin, Sejdi Kurteshi komuniteti i tyre ka refuzuar që të zbatojë reformën në arsim dhe tani nxënësit nuk janë duke vijuar procesin mësimor. Ka kërkuar që deputetet e Kuvendit të kenë një qëndrim për këtë çështje. “Këtu nuk bëhet fjalë për 3 nxënës mirëpo bëhet fjale për 320 nxënës dhe nuk po kemi forcë që të bëjmë diçka më shumë kundër kësaj reforme. Mirëpo unë duhet të kthehem në fshat dhe duhet t’u tregoj për ato çfarë kemi biseduar. Dhe kërkoj që të jeni më të qartë në këtë aspekt”, ka bërë të ditur Kurteshi.

E, kryetari i lagjes “Iliria”, Mitat Jerliu ka thënë se objekti i shkollës “Fan Noli” nuk i plotëson kushtet për punë.

Pasi që ka dëgjuar ankesat e qytetarëve, deputetja Labinotë Demi Murtezi (VV), ka deklaruar se gjendja e krijuar në Kamenicë është shqetësuese meqë nxënësit kanë mbetur pa u notuar dhe të njëjtën kohë ka edhe bojkotim të procesit mësimor.

E për kolegen e saj nga LDK-ja, Lirie Kajtazi kryetari Kastrati i ka tejkaluar kompetencat me rastin e inicimit të reformës në arsim.

“Si banorë keni të drejtë që të trokisni në dyert e Ministrisë së Arsimit dhe ne do të jemi të hapur si deputetë që t’u ndihmojmë në këtë aspekt”, ka thënë ajo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme