Prevalla e Brezovica pa vizitorë, janë mbyllur edhe bizneset

Dorentina Thaqi Dorentina Thaqi 22 March 2020 20:31

Si asnjëherë më parë, fshati turistik i Prevallës ka mbetur këtë të diel pa asnjë vizitorë.

Rrallë janë parë lëvizjet e makinave e të njerëzve në këtë fshat. Përveç bizneseve, edhe dyqanet ushqimore janë mbyllur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Ky fshat që viteve të fundit është ndër më të vizituarit në Kosovë, këtë herë është izoluar shkaku i pandemisë së COVID-19 dhe vendimit të Ministrisë së Brendshme për mbylljen e parqeve në gjithë vendin, raporton KOHA.

Banorët, të cilët edhe kanë biznese në këtë vend, tregojnë se gjendje e tillë nuk ka qenë asnjëherë më parë.

Sipas tyre, që nga e shtuna edhe zyrtarët policorë po kujdesen që të mos lejohen vizitorët dhe se atyre u është thënë që të rrinë në shtëpitë e tyre të izoluar.

Virusi COVID-19 e ka lënë bosh e pa asnjë vizitor edhe qendrën e skijimit në Brezovicë.

Sipas banorëve këtu, gjatë kohës sa kanë qenë temperaturat e larta ka pasur vizitorë, derisa bizneset vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura.

Zv.ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Avni Zogiani, përmes një përgjigje me shkrim nuk ka treguar se për çfarë arsye ka qenë e hapur laura në Brezovicë, mirëpo ai ka thënë se të gjitha vendet ku ka mundësi të mblidhen vizitorë janë të ndaluara.

“Të gjitha vendet ku ka potencial të mbledhjes së vizitorëve janë të ndaluara. Sot kam parë disa vende të ngjashme dhe ky vendim po respektohet pothuajse tërësisht”, ka thënë ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme