42 punonjës në Minierën e “Goleshit” prej 3 muajsh punojnë pa paga

42 punonjës në Minierën e “Goleshit” prej 3 muajsh punojnë pa paga

Agim Ademi Agim Ademi 25 March 2020 15:10

Përhapja e virusit COVID19 në Kosovë e ka vështirësuar edhe më shumë mbijetesën për 42 familje në komunën e Lipjanit derisa kryefamiljarët e tyre prej 3 muajsh si punëtorë sigurimi në Minierën e “Goleshit” në Magurë nuk i kanë marrë pagat e tyre nga AKP-ja.

Ata janë ankuar se gjatë këtyre ditëve nuk kanë mundur të sigurojnë gjëra ushqimore dhe as miell për familjet e tyre derisa punëdhënësi nuk ua ka siguruar pagat.

“Prej tre muajsh nuk kemi marrë paga si punonjës sigurimi në Minierën e “Goleshit” në Magurë. Këto paga ne i marrim nga AKP-ja pasi që Miniera i është marrë privatizuesit pesë vjet më parë. Ne do të protestojmë në fund të javës rreth kësaj çështje dhe do t’i ftojmë të gjitha mediat për ta parë gjendjen tonë”, ka thënë njëri prej punonjësve i cili është i njohur për redaksinë, raporton KOHA.

Sipas tij, familjet e 42 punëtorëve po përballen me mungesë të gjërave ushqimore e higjienike.

“Nuk kemi mundur të sigurojmë asgjë sikur të tjerët pasi është shpërndarë ky virus. Jemi në hall sepse me këto paga ne i mbajmë familjet tona. Ne kërkojmë nga AKP-ja t’i siguroi pagat tona deri në fund të javës në mënyrë që mos të bëhej më e madhe kjo punë”, është ankuar ai.

Nga ana tjetër Koha ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga zyra për Informim në AKP, mirëpo ata gjatë së mërkurës nuk u janë përgjigjur pyetjeve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme