23:22

Haziri thotë se Klinika e Pediatrisë në Gjilan do të mbyllet përkohësisht, punëtorët shkojnë në vetizolim

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbajtur konferencë për media pas konfirmimit të nëntë rasteve të reja me koronavirus në Gjilan.

Ai ka thënë nga 28 mostra të testuara sot, nëntë kanë rezultuar pozitivë pas infektimit të një punëtoreje të një klinike private në Prishtinë.

Haziri ka thënë se në pesë shtëpi do të vendosen në karantinë derisa të vendosë ndryshe Ministria e Shëndetësisë.

Ai tutje ka shtuar se punëtorët e Klinikës së Pediatrisë në Spitalin Regjional do të vetizolohen kurse reparti i Pediatrisë do të mbyllet përkohësisht.

“Punëtorët e Klinikës së Pediatrisë, spitalit regjional do të vetizolohen ndërkaq reparti i pediatrisë do të mbyllet përkohësisht. Nesër do të ketë testim të kontakteve të tjera. Të shfrytëzohet dalja vetëm për nevoja në mënyrë që të mos thyhet kjo rregull gjoba do të jetë mandatore”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se në Gjilan janë 12 raste aktive me koronavirus.

22:46

Haziri propozon shtrëngim të masave pas shtimit të rasteve me koronavirus

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka propozuar shtrëngim të masave pas shtimit të rasteve me koronavirus.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se lidhur me këto masa do të mbajnë një konferencë të jashtëzakonshme.

Sot janë shënuar nëntë raste të reja me koronavirus në Gjilan. Sipas Hazirit, rastet janë si pasojë e kontakteve të një punëtoreje të Gjilanit e cila punon në një klinikë private në Prishtinë.

“Komiteti për menaxhimin e pandemisë dhe emergjencat civile e kanë nën kontroll situatën dhe ju lusim për lojalitet dhe bashkëpunim në mënyrë që ta përballojmë situatën. Fatkeqësisht, kësaj here burim i infeksionit është një punëtore e shëndetësisë e jo burim tjetër nga qytetarët. Është domosdoshmëri që t’i shtrëngojmë masat pas rasteve të fundit. Për këtë, pas pak ju njoftojmë përmes konferencës së jashtëzakonshme”, ka shkruar ai.