Kosovë

Bukuri shumë, mundësi pak

Bukuri shumë, mundësi pak
Të pakta janë mundësitë për zhvillim në fshatin Reçanë. Rinia ndihet e lënë pas dore. Partitë boshnjake e ato shqiptare shumë herë kanë kërkuar votat e boshnjakëve me zotimin se do ta kthejnë Reçanën në komunë me shumicë boshnjake. Premtimet kurrë s’u jetësuan

Djem e vajza shëtisin rrugëve të fshatit. Burrat kanë shtruar muhabetin nëpër tarracat e kafeneve dhe të “fast foodeve”. Shumica të papunë. Rreth e përqark pamja është mahnitëse. Gurgullima e lumit ua merr anën tingujve të muzikës. Reçana është zemra e rrethinës. Aty ku lidhen rrugët e fshatrave të shpateve malore valojnë flamujt e Kosovës e të boshnjakëve. Nuk dallojnë fort për nga dizajni e ngjyrat. Dy vendet u pavarësuan pas luftërave e masakrave masive të kryera nga Serbia, shkruan KOHA.

Megjithatë, Bosnja ende nuk ia njeh Kosovës mëvetësinë. Por ndryshe nga partitë serbe, që orkestrohen nga Beogradi, ato boshnjake asnjëherë nuk e kanë kontestuar Kosovën si shtet të tyre. Shqip e boshnjakisht flitet poshtë flamujve që kanë humbur shkëlqimin në shtyllat e metalta në qoshen e degëzimit të rrugës kryesore që zgjatet ndanë lumit nga Prizreni për Prevallë. Era e lehtë ua shprish flokët dy vajzave me fustane të gjata. Mu mbi urë. Në rrugë, më shumë ka burra. Flasin e kuvendojnë edhe para dyqaneve.