Kosovë

Të pakënaqur me shefin, zjarrfikësit e Podujevës në grevë

Zjarrfikësit në Komunën e Podujevës po e akuzojnë shefin e kësaj njësie, Milaim Ajvazi, për shkelje ligjore e menaxheriale në këtë institucion. Sipas tyre, Ajvazi, pos që nuk e kishte hequr nga lista e pagave një punëtor, edhe pse kishte munguar rreth tre vjet, ai ka keqpërdorur edhe veturën zyrtare. Sindikalistët nuk janë të kënaqur me vendimin e Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave që Ajvazit t’i shqiptojnë vetëm vërejtje me shkrim. Nëpërmjet grevës zjarrfikësit po kërkojnë shkarkimin e shefit të tyre.

“Ne i kemi disa keqpërdorime të menaxherit këtu, ka bërë disa keqpërdorime të automjetit, me derivate, keqpërdorim të shumë gjanave që i kemi specifikuar secilën veç e veç. E ato që janë pak ma shumë interesim, tek ne u kanë që marrëdhënia mes punëtorit edhe shefit nuk ka qenë mirë e koordinuar, i njëanshëm, për atë edhe janë revoltuar të gjithë zjarrfikësit, sepse një shef nuk guxon me kanë i njëanshëm për një shërbim ku për çdo ditë ka kërkesa të qytetarëve për t’iu dalë në ndihmë. E kur një shefi nuk i beson një zjarrfikës, atëherë besoj që është fundi i atij shefi për me qenë në atë pozitë”, ka thënë Ibush Salihu, kryetar i Sindikatës së Zjarrfikësve.