Kosovë

Korniza Afatmesme Buxhetore po konsiderohet si “Dokument i asfaltit”

Korniza Afatmesme Buxhetore po konsiderohet si “Dokument i asfaltit”

“Dokument i asfaltit” po konsiderohet Korniza Afatmesme Buxhetore 2021-2023 nga partitë opozitare në Podujevë. Ky dokument që i përfshin projeksionet për tre vjetët e ardhshëm të kësaj komune, sipas opozitarëve nuk parasheh zhvillim ekonomik, as në fushën e arsimit e as në shëndetësi. Bile, ata kanë thënë se ky dokument përmban edhe gabime të shumta, ku për numrin e banorëve, të nxënësve dhe të bizneseve, ndryshe shkruan në KAB e ndryshe në ueb-sajtin e Komunës. Këshilltari nga radhët e VV-së, Avni Fetahu, thotë se në kuadër të këtij dokumenti pasqyrohet Strategjia e Drejtorisë për Buxhet e Financa, ku tek deklarata e misionit të kësaj drejtorie ndër të tjera thuhet se kjo Drejtori informon lidershipin komunal me aktivitetet e ndërlidhura me buxhetin e komunës.

“Ndërsa, në bazë të të gjeturave të Auditorit të jashtëm tejkalojnë vlerën për ndërtimin e Bulevardit tanimë të famshëm të komunës ku vlera e tejkalimit ishte 70,818€. Dhe kur pyeten nga Auditori i jashtëm për këtë çështje, a e dini cila është pergjigjeja? ‘Kemi qenë konfuz!’. Uroj të mos kenë qenë të pitë (dehur v.j.)”, ka thënë Avni Fetahu. “Përmes këtij propozimi buxhetor nuk sigurohet as kushtet për zhvillimi ekonomik lokal, arsim e shëndetësi. E kam përshtypjen që edhe sorrat që sillen për Podujevë e kanë kuptuar që është buxhet i asfaltit. Por, mos harroni se ky buxhet i asfalltit edhe për një kohë të gjatë do t’i rëndojë buxhetet në vijim për shkak të intervenimeve në riparime të rrugëve. Se po të ishte shtruar njëherë si duhet e mos të ketë nevojë të intervenohet së paku 10 vite, hallal ju qoftë. Porm jeni ju dëshmitarë se çfarë cilësie përmbajnë punimet e kryera deri më tani”.