00:05

Specializimi duhet të kalojë në kompetencë të spitaleve rajonale, thotë Dreshaj

Skënder Dreshaj, drejtor i Spitalit rajonal të Pejës, ka deklaruar se vetë spitalet rajonale duhet të angazhojnë stafin për specializantë.

Ai ka thënë se kjo është zgjidhja e duhur dhe më e mirë në aspektin afatgjatë.

“Mendoj se kjo është e vetmja zgjidhje. S’ka zgjidhje tjetër të strukturuar dhe afatgjate në zgjidhjen e këtij problemi, nëse një përgjegjësi nuk bartet te vetë institucionet shëndetësore, konkretisht te spitalet për faktin se ne në bazë të anëtarëve që kemi dhe në bazë të numrit të punëtorëve të lejuar dhe standardeve akredituese ku është i përcaktuar numri i personelit, jemi në dijeni më të mirë për numrin që na nevojitet, për kohën kur na nevojiten. Këtu për shembull kur kemi parasysh se e dimë se kur na pensionohet një mjek, sa zgjat një specializim, e dimë fluksin e pacientëve në shërbime të ndryshme, ku duhet të përforcohemi me kuadër. Vlerësoj se në këtë drejtim bartja e kompetencave në planifikim dhe realizim të këtyre procedurave në nivel spitalesh është zgjidhja e vetme dhe përfundimtare”, ka deklaruar ai në Interaktiv.

23:47

Sipas Dreshajt, riorganizimi për koronavirus në Spitalin e Pejës nuk prek kapacitetet për shërbimet tjera shëndetësore

Drejtori i Spitalit Rajonal të Pejës, Skënder Dreshaj, ka thënë se me riorganizimin e planifikuar në këtë spital pas shtimit të rasteve me koronavirus, nuk do të lejohet që të preken shërbimet tjera shëndetësore.

Në Interaktiv të KTV-së, Dreshaj ka thënë se ky spital për momentin mund të pranojë edhe 32 pacientë të tjerë për trajtim spitalor, ndërsa ka paralajmëruar se për periudhë të shkurtër, mund të shtohet edhe kapaciteti i 60 shtretërve të tjerë që do të çonte në më shumë se 120 shtretër në dispozicion për rastet me COVID-19.

“Vazhdimisht kemi pas parasysh elementin që riorganizimi nuk guxon të prekë në asnjë mënyrë kapacitetet tona në kuptim të ofrimit të shërbimeve shëndetësore për çka jemi të thirrur si spital i nivelit sekondar. Ky riorganizim nuk prek aftësitë tona, kapacitetet tona, në ofrimin e shërbimeve emergjente dhe urgjente shëndetësore, përjashtuar këtu rastet konsultative dhe rastet e ftohta kirurgjike apo intervente apo procedurat diagnostike intervente, që edhe sipas vendimeve të organeve kompetente, por edhe situatës jemi obliguar edhe t’i redukojmë apo ndërpresim. Për numrin e shtretërve, për momentin do të ishim në gjendje, mos dhashtë Zoti, të pranojmë edhe 32 pacientë që do të kishin nevojë për trajtim në spital”, ka deklaruar ai.

Dreshaj tutje ka thënë se furnizimi me oksigjen mbetet sfidë për Spitalin e Pejës.

“Është sfidë, por mund të them se një pjesë shumë e madhe e energjisë po shpenzohet në këtë segment. Jemi njoftuar nga SHSKUK-ja që kemi kontratë me dy kompani të licencuara për furnizim me oksigjen, dhe në kuptimin e bartjes dhe oksigjenit, vetë institucionet e bartin dhe i sjellin bombolat që të kemi furnizim stabil. Deri më tani, institucioni jonë s’ka pas as ma të voglin problem në këtë drejtim”, ka thënë ai.

23:38

Spitali i Pejës po shton kapacitetet për përballjen me COVID-19

Skënder Dreshaj, drejtor i Spitalit Rajonal në Pejë, ka thënë se ky spital është duke shtuar kapacitetet e duke u përgatitur për fazën e re të riorganizimit të brendshëm pas shtimit të rasteve me koronavirus në këtë komunë.

Në Interaktiv të KTV-së, Dreshaj ka thënë se tash në këtë spital po trajtohen 57 pacientë, me 28 prej tyre të konfirmuar me COVID-19 e të tjerët që po presin testimet.

Ai ka thënë se ky numër aktual paraqet kapacitetin maksimal aktual, por ka shtuar se spitali po bëeht gati për riorganizimin e ri duke i vënë në funksion edhe repartet e pulmologjisë e të tjerë për të shtuar numrin e shtretërve.

Megjithatë, sipas Dreshajt, ky spital pavarësisht se po shton kapacitetet, “do të vazhdojë të ruajë kapacitetet maksimale për ofrimin e shërbimeve shëndetësore edhe për pacientët e tjerë”.