Kosovë

Shoqëria civile e opozita konsiderojnë se buxheti i Podujevës u miratua duke i shpërfillur procedurat

Shoqëria civile e opozita konsiderojnë se buxheti i Podujevës u miratua duke i shpërfillur procedurat

Përfaqësues të organizatës Sundimi i Demokracisë në Kosovë (SDK) dhe ata të dy partive opozitare LVV e PDK po konsiderojnë se qeverisja lokale në Podujevë i ka shkelur procedurat që duhet ndjekur për projekt-buxhetin para se të dërgojë në Kuvend për miratim. I njëjti është miratuar të mërkurën pa votat e këtyre dy partive opozitare. Këshilltarja Lirika Maliqi (LVV), ka thënë se ekzekutivi nuk ka pasur guxim të ballafaqohet me qytetarët, para se të miratojë buxhetin për vitin 2021.

“Ky buxhet paraqitet nga një ekzekutiv i pazgjedhur nga vota e qytetarëve dhe mbahet në këtë karrige të uzurpuar nga kapësit e shtetit Ky buxhet është në vazhdën e kësaj logjike qeverisëse të papërgjegjshme që për afër katër vite, apo më mirë të themi që nga paslufta, nuk arrin që të bëjë politika prioritare zhvillimore për komunën tonë. Buxheti për këtë vit është i ndërtuar dobët në çdo aspekt të tij. E për më keq, është hartuar një projektbuxhet duke mos përfillur procedurat e planifikimit dhe duke mos u konsultuar fare me qytetarët, gjë që implikon drejtpërsëdrejti shkeljen e procedurave ligjore për transparencë dhe llogaridhënie”, është shprehur Lirika Maliqi. “Mirëpo është e qartë se ky është një buxhet elektoral dhe një buxhet dëshirash. Nuk keni pasur guxim për ballafaqim me qytetarët sepse ka shumë projekte të cilat nuk mund të realizohen brenda një viti e kjo bëhet për të mashtruar qytetarët për projekte. Jo kot nuk i specifikoni rrugët nëpër fshatra e qytet, sepse një gjë e tillë është shumë relative, kur vjen puna tek vota, aty vendosni se cilat lagje do t’i privilegjoni me asfalt, e pastaj t’i shtantazhoni për votë”.