Kosovë

Ferizaj harton rregullore të veçantë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve

 

Kjo rregullore përcakton mbrojtjen nga dhuna fizike dhe dhuna mendore, abuzimi, ndëshkimi trupor, keqpërdorimi, shfrytëzimi, neglizhimi, apo ndonjë formë tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijëve

Gjatë kohës së fundit, në qytetin e Ferizajt po vërehet një numër mjaft i madh i fëmijëve që kërkojnë lëmoshë. Ndërkohë, institucionet komunale kanë hartuar një rregullore të veçantë, me qëllim të përkujdesjes dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Kjo rregullore përcakton mbrojtjen nga dhuna fizike dhe mendore, abuzimi, ndëshkimi trupor, keqpërdorimi, shfrytëzimi, neglizhimi apo ndonjë formë tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijëve. Në anën tjetër, në këtë komunë ekzistojnë edhe disa familje strehuese të cilat përkujdesen për fëmijë të braktisur, siç është edhe familja e Ymrije Selmanit nga fshati Dardani. Selmani, në mënyrë vullnetare, prej 16 vjetësh, në ambientin familjar po trajton fëmijë pa përkujdesje prindërore. Ajo deklaron se aktualisht ka të strehuar tre fëmijë me aftësi të kufizuara, andaj kërkon mbështetje institucionale. “Shteti duhet të kujdeset më së shumti për këta fëmijë dhe për ne si familje, sepse ne kemi edhe fëmijë të familjes të cilët i mbajmë së bashku me të strehuarit. Pra, ne nuk i ndajmë fëmijët, me thënë këta janë të strehimit e këta janë të mitë, këta kanë me u ulë me një sofër, me një shtrat, me një lodër me krejt së bashku. Po duhet shteti t’i shikojë dhe të kujdeset për këta fëmijë, por jo t’i lërë në rrugë sepse kjo është tmerr”, ka thënë Selmani. Ajo bën me dije se fëmijët e braktisur i strehon në mënyrë vullnetare, ndërkohë se së fundi Komuna e ka përkrahur me një subvencion për ta kaluar më lehtë situatën e pandemisë. Ajo kërkon edhe nga niveli qendror t’i përkrahë më shumë këtë kategori të fëmijëve dhe këto familje, të cilat në mënyrë vullnetare po kujdesen për këtë kategori.