Kosovë

Në Krushë të Vogël shpaloset pllaka me projektin ideor për Memorialin e Martirëve

 

Shpalosja e pllakës me projektin ideor për Memorialin e Martirëve të Krushës së Vogël është bërë të premten nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe përfaqësuesit e këtij fshati.

Memoriali i Martirëve në këtë fshat sipas njoftimit të Komunës do të ndërtohet në vendin ku ka ndodhur masakra në mars të vitit 1999.

këtë ceremoni kreu i VV-së, Albin Kurti ka theksuar se banorët e Krushës së Vogël nuk do të gjejnë qetësi, nëse nuk ka drejtësi për të gjitha krimet e Serbisë në Kosovë.
"Serbia i ka borxh Kosovës, Krushës së Vogël dhe kombit shqiptar", ka thënë Kurti, duke shtuar se Kosova ka nevojë për përfaqësues institucionesh që ia kërkojnë këtë borxh Serbisë.

Sipas tij, duhet vepruar edhe për kapjen e kryesve të krimeve të luftës ndaj shqiptarëve, ngase vetëm në këtë mënyrë mund të gjendet e vërteta.

Getoar Shehu përfaqësuesi i fshatit ka theksuar se banorët e Krushës së Vogël shpirtin e kanë të humbur shkaku i krimeve serbe në këtë vendbanim.
"Jetojmë pa shpirt, njësoj e kanë nënat e vëllezërit tanë... Shpirtin na kanë vra, na kanë gjuajt", ka deklaruar ai.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka theksuar se është punuar pak në dokumentimin e asaj që ka ndodhur në Kosovë.