Kosovë

Inspektorati i Komunës së Prizrenit rrënon dy ndërtime pa leje në lagjen “Arbanë”

Inspektorati i Komunës së Prizrenit rrënon dy ndërtime pa leje në lagjen “Arbanë”
 

Prizren, 2 mars – Drejtoria e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, të martën, ka rrënuar dy ndërtesa në lagjen “Arbanë”, për shkak se ato ishin ndërtuar pa leje në pronën komunale. Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit, ky veprim është ndërmarrë pasi ankesat e investitorit në Komunë dhe në MEA kanë marrë përgjigje negative.

“Drejtoria e Inspektoratit njofton se vendimi për rrënimin e objekteve në fjalë është marrë pasi që investitori ka vazhduar punimet drejt përfundimit të objekteve, përkundër urdhrit të DI-së për ndalimin e punimeve. Ndërkaq, ankesat e parashtruara nga investitori në Komisionin e Komunës së Prizrenit dhe po ashtu në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, janë kthyer me përgjigje negative. Po ashtu, investitorit i është dhënë afati 15 ditor për rrënimin e objekteve në mënyrë vullnetare, por i njëjti nuk i është përmbajtur këtij afati të përcaktuar në bazë të ligjit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.