Kosovë

Opozita kritikon Komunën e Pejës që s’ka ndihmuar financiarisht personat me COVID-19

 

Shqyrtimi i raportit për ndarjen e subvencioneve në vitin e kaluar, ka shkaktuar të martën në takimin e Kuvendit Komunal, kritika të opozitës adresuar ekzekutivit, për mosshpenzimin e të gjitha mjeteve që kanë qenë të planifikuara për vitin e kaluar. Duke parë që kishin mbetur mbi 100 mijë euro subvencione të pashpenzuara vitin e kaluar, opozita e ka quajtur absurde që ato mjete nuk janë përdorur për të ndihmuar personat e sëmurë me COVID-19 dhe familjet e atyre që kanë vdekur nga virusi.

“Sipas planifikimit për transfere dhe subvencione për vjet, kanë qenë të planifikuara rreth 599 mijë euro. Janë shpenzuar mbi 471 mijë euro. I bie që diku 128 mijë euro nuk janë shpenzuar prej mjeteve të parapara. Që të mos shpenzohen këtë vit ato mjete, është goxha e çuditshme dhe absurde, posaçërisht në çfarë viti kemi kaluar dhe në çfarë sfidave ka kaluar popullata e komunës së Pejës me Covid-19”, është shprehur këshilltari i AAK-së opozitare, Nazmi Krasniqi, duke iu drejtuar kreut të Komunës, Gazmend Muhaxherit, se nuk është komuna krejt veç asfalt, kubëza dhe trupa ndriçues, raporton KOHA.