2 perditesime
12:14

Lutfi Haziri merr vaksinën anti-COVID

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është vaksinuar me vaksinën anti-COVID, duke thënë se këtë veprim e ka bërë për të krijuar besim ndaj vaksinës.

Sot ka filluar procesi i vaksinimit të stafit mjekësor në Gjilan, ku kryetari Haziri ka thënë se së shpejti të fillojë vaksnimi i personave mbi moshën 75-vjeçare.

“Unë i ftoj të gjithë që të lajmërohen për ta marrë vaksinën kundër COVID-19 në momentin që do t’i kemi dozat. Përndryshe, apeloj qytetarët që të vazhdojnë t’i zbatojnë masat kundër përhapjes së virusit”, ka shkruar Haziri në Facebook.

Procesi i vaksinimit ka filluar edhe në Komunën e Vushtrrisë. Për stafin e QKMF-së dhe Spitalin “Sheikh Zayed” janë në dispozicion 500 vaksina, ka bërë të ditur Komuna.

“Ftoj të gjithë qytetarët e Vushtrrisë mbi moshën 65 vjeçare të lajmërohen në qendrat mjekësore në lokalitetin e tyre e të regjistrohen për marrje të vaksinës. Kur të vijnë vaksinat këta qytetarë sipas radhës do të ftohen për të marrë vaksinën. Unë nuk e mora sot vaksinën, do ta marr vaksinën kur të më vjen radha, tani është radha e stafit mjekësor”, ka deklaruar kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

11:02

Një mijë vaksina për COVID-19 për personelin shëndetësorë të Pejës

Ilir Osmanaj

Ne qendrën kryesore të vaksinimit në Pejë, ka filluar të premten vaksinimi për COVID-19.

Të parët që kanë nisur të vaksinohen është i tërë stafi i spitalit të Pejës. Pastaj do të vaksinohet personeli mjekësor i Qendrës Kryesore dhe qendrave tjera të Mjekësisë Familjare, personeli i Institutit të Shëndetit Publik, të Shëndetit Mendor, e të tjera.

Për fillimin e vaksinimit në Pejë kanë arritur një mijë vaksina, të cilat sipas drejtorit të Shëndetësisë, Petrit Loci, mjaftojnë për vaksinimin e personelit mjekësor i të gjitha niveleve shëndetësore në Pejë.

08:22

Filloi vaksinimi në Gjakovë, pritet të vaksinohen rreth 1.300 persona

Në komunën e Gjakovës ka filluar vaksinimi për COVID-19 me dozën e parë të AstraZenecas, e siguruar ditë më parë në Kosovë pas muajsh pritjeje.

Kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini, ka thënë se numri i rasteve që kërkojnë hospitalizimi është në rritje dhe se duhet të vaksinohen masivisht pavarësisht hezitimeve ndaj vaksinave. Sipas tij, nuk ka raste të argumentuara se vaksina po shkakton pasoja, prandaj u shpreh i gatshëm që edhe vetë ai të vaksinohet.

“ Duhet të vaksinohet personeli shëndetësor dhe personat e shtyrë në moshë. Sot kemi filluar dhe shpresoj që të shkojë shpejtë e mirë. Janë rreth 1.300 persona që do të vaksinohen me këtë dozë të vaksinës. Shpresojmë të kemi kontingjente të tjera të vaksinës dhe të arrijmë vaksinimin e të tjerëve. Është me rëndësi jetike që ta marrim vaksinën. Po pres rast nëse do ketë vendim që edhe kryetarët e komunave të vaksinohen, do jem ndër të parët që do ta marr, por ende nuk ka vendim të tillë”, ka thënë ai.

Në Pejë pritet që vaksinimi të fillojë në orën 09:00, ndërsa në Gjilan  në 10:00.