Kosovë

S’ka buxhet për ciceron në kompleksin “Zahir Pajaziti”

Të gjithë ata që ia mësyjnë kompleksit memorial “Zahir Pajaziti” duhet të gjenden vetë pasi aty nuk ka kush t’i mirëpresë. Është pa ciceron, ani pse autoritetet lokale por edhe ato qendrore deklarojnë se një punonjës i tillë është i domosdoshëm
 

Ani pse është ndër vendet më të vizituara në Podujevë, vizitorët në kompleksin memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan nuk ka kush t’i mirëpresë. Disa herë është kërkuar angazhimi i një ciceroni, por, sipas Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale në Kosovës, që menaxhon këtë kompleks, kjo del të jetë e pamundur në mungesë buxheti dhe në pamundësi për zgjerimin e stafit

Përfaqësues të organizatës “Sundimi i Demokracisë në Kosovë” (SDK) kanë kërkuar angazhimin e një ciceroni në kompleksin memorial “Zahir Pajaziti”, në fshatin Orllan të Podujevës. Por zyrtarët e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale në Kosovës (AMKMK), nën menaxhimin e së cilës është edhe ky kompleks, janë ankuar se tash për tash nuk kanë buxhet për këtë.

Rexhep Zeka nga SDK-ja ka thënë se Kompleksi Memorial në Orllan është ndër vendet më të vizituara në Komunën e Podujevës, mirëpo, sipas tij, vizitorët kthehen të zhgënjyer pasi aty nuk ka kush t’u shpjegojë për veprimtarinë e heroit Pajaziti.