Kosovë

Seanca urgjente e Kuvendit të Prizrenit mbyllet në mënyrë kaotike

Seanca urgjente e Kuvendit të Prizrenit mbyllet në mënyrë kaotike
 

Kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për zyrat e partive politike nuk është shqyrtuar në seancën urgjente të Kuvendit të Prizrenit. Në vend të kësaj është zhvilluar një takim mes shefave të grupeve të këshilltarëve dhe kryetarit të Komunës. Ndërsa seanca urgjente është mbyllur në mënyrë kaotike, dhe me mungesë transparence për kuvendarët e pranishëm.

Seanca urgjente e Kuvendit, me pikën e vetme të rendit të ditës: “Kërkesë për shtyrjen e vendimit për ekzekutim të largimit nga zyrat partitë politike”, ka filluar në orën 10:00, por shkaku i mos pranisë së kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, është shtyrë për në orën 13:00. Gjatë diskutimeve në pjesën e parë të seancës nënkryetari i Komunës, Visar Shehu ka theksuar se më e arsyeshme është që shefat e grupeve të këshilltarëve të takohen me kryetarin, gjë që është përkrahur edhe nga kuvendari i VV-së, Karanfil Haxhillari. Ky takim është zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, derisa pjesa dërmuese e këshilltarëve nga ora 13:00 në sallën e KK-së kanë pritur afër një orë për fillimin e seancës urgjente.