Kosovë

​Dita e Çlirimit të Deçanit iu dedikohet ish-luftëtarëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë

 

Ditën e Çlirimit të Deçanit, kryetari i kësaj komune Bashkim Ramosaj ia ka dedikuar ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahet në paraburgim në Hagë, Nasim Haradinajt. Në shënimin e ditës së çlirimit, Ramosaj ka kujtuar sakrificën e ish-krerëve të UÇK-së për lirinë e Kosovës, e te cilët po akuzohen për krime të pretenduara të luftës.

“Me lejoni sot ta kem një dedikim të caktuar. Dedikim e kam për Nasim Haradinajn, këtë dedikim e kam për Hashim Thaçin si themelues, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqit, Pjetër Shalës. Kemi të drejtë me fol sepse këtu janë ekzekutivi i komunës, asamblistët, familjarë të dëshmorëve veteranë bartës të këtij procesi që me ardh deri te çlirimi. Na ka mbet ende shumë punë që me pas një shtet stabil, një shtet të kompletuar dhe një shtet me subjektivitet ndërkombëtar”, ka thënë Ramosaj në seancën solemne të kuvendit komunal.