55 puse për familjet në gjendje të rëndë ekonomike do të hapen në Podujevë
Organizata "Qatar Charity" do të ndërtojë 55 puse për familjet me gjendje të rëndë ekonomike në Komunën e Podujevës. Kjo është mundësuar pas memorandumit të bashkëpunimit që është nënshkruar nga kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtori i përgjithshëm i kësaj organizate, Mahmouad Abbas.
Sipas njoftimit të Komunës së Podujevës gjatë takimit që është mbajtur të premten, të dy palët kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi edhe për grante në bujqësi.
"Gjatë takimit gjithashtu me drejtorin Abbas nënshkruam memorandum bashkëpunimi edhe për grante në fushën e bujqësisë duke përfshirë perimkulturë, mekanizëm bujqësor, bagëti dhe shoqëri bletësh. Nga ky memorandum Komuna e Podujevës do të participojë me 10% të kostos së projektit e pjesën tjetër do ta financojë organizata 'Qatar Charity”, thuhet në njoftim.
Tutje kryetari Bulliqi është zotuar për bashkëpunim të mëtejmë me organizatën dhe falënderoi ata për kontributin e vazhdueshëm në Komunën e Podujevës.