Kosovë

Podujeva nis ndryshimin e Hartës zonale pa e miratuar draftin e vjetër

 

Kuvendarët e Podujevës e kanë miratuar propozim-vendimin për ta hedhur në diskutim publik draftin e Hartës zonale e cila nuk ishte miratuar asnjëherë në Kuvend. Ky dokument i kishte kaluar të gjitha procedurat e parapara gjatë mandatit të LDK-së, por në ditën kur ishte paraparë që të miratohet, ish-pushteti e kishte hequr nga rendi i ditës. Tash drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Bujar Hasani, ka thënë se duhet ta ndryshojnë draftin e këtij dokumenti në disa pika, pasi i njëjti nuk i trajton njësoj ndërtuesit.

Ai ka theksuar se pas konfirmimit nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që mund të bëjnë ndryshimet e Hartës zonale kanë vendosur që ta hedhin në diskutim publik në procedurë të shpejtë. Ka thënë se kjo po bëhet me qëllimit që të kenë një Hartë zonale të aplikueshme, të jetë një dokument ku ankesat e qytetarëve merren parasysh, që bizneseve t’u krijohet hapësirë për zhvillim, që ndarja në blloqe brenda zonës urbane të jetë pa dallime në kushte barabarta, që bujqësisë t’i jepet prioritet në zhvillim.