1 perditesime
10:23

Detaje nga sulmi i punonjësit të Spitalit të Gjakovës

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për sulmin fizik ndaj një punonjësi të sigurimit në spitalin e Gjakovës.

Sipas njoftimit rreth orës 02:30 të mëngjesit ne spitalin rajonal kishte pranuar tretman mjekësor një person i cili kishte pësuar lëndime të lehta trupore gjatë një përleshje në një diskotekë.

Më pas tre persona të panjohur kishin shkuar në spital për ta vizituar personin që kishte kërkuar tretman mjekësor.

Siç njoftohet, tek porta hyrëse e spitalit personat e panjohur ishin ndaluar nga sigurimi i spitalit, dhe të njëjtit e kishin sulmuar fizikisht duke e goditur me grusht dhe nga qafa ia kishin marrë një qafore ari me vlerë prej 1800 euro, si dhe ia kishin thyer telefonin Iphone 11, dhe më pas ishin larguar në drejtim të panjohur.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe kishte pësuar lëndime të lehta trupore.

Për momentin të dyshuarit mbeten të pa identifikuar. Hetimet e rastit janë në vijimësi.

08:30

Sulmohet një punonjës në Spitalin e Gjakovës

Një punëtor i sigurimit i Spitalit të Gjakovës është sulmuar nga disa persona në orët e hershme të së mërkurës, është njoftuar nga vet Spitali.

Spitali ka thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 2:20. Nga Spitali i Gjakovës është thënë se punonjësi ka marrë lëndime të rënda trupore dhe po trajtohet.

“Sot rreth orës 2.20 të mëngjesit, është sulmuar fizikisht në vendin e punës punëtori i sigurimit të Spitalit, nga ana e disa personave të pandërgjegjshëm. Personi i sulmuar ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është duke e marr trajtimin e duhur mjekësor. Për rastin në fjalë është njoftuar edhe policia dhe presim që të ndërmerren veprimet e nevojshëm nga organet kompetente, që sulmuesit të marrin dënimin e merituar. Menaxhmenti i Spitalit dënon ashpër sulmin duke shpresuar që rastet si ky mos të përsëriten, dhe personeli të ndjehen të sigurt ne vendet e tyre të punës”, thuhet në reagimin e Spitalit të Gjakovë në Facebook.