Kosovë

Qeveria e vlerëson të jashtëligjshme rregulloren për fëmijë që ishte lejuar nga qeveria e kaluar

 

Të jashtëligjshme e ka vlerësuar Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve Rregulloren e Komunës së Podujevës për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijëve. Por, vlerësime tjera janë dhënë deri tash nga ish-qeveria dhe se shumë komuna i kanë në fuqi rregullore të tilla.

Ky dokument ishte përgatitur fillimisht si model nga një organizatë në bashkëpunim me Asociacionin e Komunave të Kosovës. Por, qeveria e tanishme e Kosovës ka vlerësuar se Ligji për mbrojtjen e fëmijëve nuk e parasheh nxjerrjen e akteve të tilla komunale. Këtë e ka thënë edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Podujevës, Fatmir Gashi, derisa po e lexonte shkresën e MFPT-së para këshiltarëve komunalw në mbledhjen e fundit. Ka thënë se draftimi i këtij dokumenti ka ardhur si rezultat i punës së organizatës ATRC në bashkëpunim me Aosicacionin e Komunave të Kosovës. Gashi ka theksuar se në bazë të asaj që u është thënë, ATRC-ja ka qenë në marrëdhënie kontraktuale me nivelin qendror për hartimin dhe draftimin e dokumentit në fjalë dhe e njëjta rregullore është bërë si model nëpër të gjitha komunat e Kosovës. Kryesuesi i Kuvendit të Podujevës ka thënë se komunat kanë qenë të obliguara vetëm t’i parashohin specifikat komunale.