Kosovë

Votat me kusht përcaktojnë nëse Fushë-Kosova do të shkojë në balotazh

Numërimi i votave të ardhura me postë nuk e ka ndryshuar rezultatin për kryetarë komunash, madje as në Fushë-Kosovë, ku për pak vota kryetari aktual, Burim Berisha, nuk arriti të fitonte pa balotazh. Kjo megjithatë mund të ndryshojë pas numërimit të votave me kusht, proces ky që nis të hënën
 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka numëruar votat me postë për kryetarë dhe asamble të komunave. Numri i votave me postë ishte 9.610. Ndërkohë të hënën do të fillojë numërimi i votave me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta. Pasi të përfundojë edhe ky proces, pritet që të bëhet edhe certifikimi i zgjedhjeve të mbajtura më 17 tetor

Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që janë edhe pjesë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë monitoruar numërimin e çdo vote me postë për kryetar të Komunës së Fushë-Kosovës.

80 votat me postë dhe rreth 200 të tjera me kusht që do të numërohen të hënën, do të përcaktojnë nëse edhe kjo komunë do t’iu bashkohet 20 komunave të tjera për raundin e dytë të votimit për zgjedhjen e kryetarit. Kjo pasi kandidati i LDK-së për kryetar të kësaj komune, Burim Berisha, ka 49.96 për qind të votave, i pasuar nga kandidati i LVV-së me 25.33 për qind dhe ai i PDK-së me 22.39 për qind.