2 perditesime
17:45

Periudha për rivotim të diasporës nga Dragashi fillon më 29 nëntor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që periudha për përsëritjen e votimit përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Dragashit të fillojë më 29 nëntor dhe të përfundojë më 13 dhjetor.

Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm votuesit të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021. Numri i votuesve jashtë Kosovës për Komunën e Dragashit është 1,090.

16:09

Elezi: 1,090 votues nga diaspora kanë të drejtë për të votuar sërish për Dragashin

Numri i votuesve nga diaspora me të drejtë vote për të votuar sërish për kryetar të komunës së Dragashit është 1,090.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se të drejtën për të votuar përmes postës sërish, e kanë vetëm votuesit të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës për periudhën 10 korrik – 18 gusht 2021.

“Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm votuesit të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021. Numri i votuesve jashtë Kosovës për Komunën e Dragashit është: 1,090”, ka thënë Elezi.

11:42

Supremja vendos për rivotim të diasporës nga Dragashi

Gjykata Supreme ka vendosur që votat e ardhura me postë nga jashtë për Komunën e Dragashit të mos njihen. Po ashtu ka vendosur që diaspora nga kjo komunë të votojë sërish dhe në bazë të atyre votave do të zgjidhet edhe kryetari i ri i komunës.

“Ashtu siç kishte konstatuar dhe vendosur me të drejtë PZAP, edhe Gjykata Supreme konfirmoi se vullneti i votuesve të mërgatës ishte cenuar në mënyrën më të rëndë, andaj edhe devijimi i rezultatit zgjedhor, respektivisht shkelja arbitrare e të drejtës së mërgatës për të votuar në mënyrë të fshehtë, të lirë e të barabartë, u vërtetua”, ka thënë Faton Fetahu, avokat i kandidatit të PDK-së në Dragash, Shaban Shabani.

Diferenca mes tij dhe kandidatit të LDK-së, Bejxhet Xheladini, është e vogël.

Lajmin për rivotim të diasporës së Dragashit e ka konfirmuar edhe LDK-ja, dega në Dragash.

Pa votat e diasporës, Shabani i PDK-së kishte 47 vota më shumë, mirëpo pas numërimit të votave të diasporës, përpara me vota doli Xheladini i LDK-së.

Mirëpo, PDK-ja u ankua se votat dyshohen se ishin plotësuar nga i njëjti person. Kështu çështja shkoi deri në Supreme, që vendosi për rivotim të diasporës nga kjo komunë.

Lidhur me vendimin e Supremes, KQZ-ja ka konfirmuar se e ka pranuar këtë vendim dhe se lidhur me të do të mbajë konferencë për media gjatë ditës.


Supremja vendos për rivotim të diasporës në Dragash, refuzohet dy ankesat për Kllokot

Gjykata Supreme ka konfirmuar vendimin për të përsëritur votimin e diasporës në zgjedhjet për kryetar të Dragashit.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini, ishte ankuar në Supreme, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP) kishte vendosur të anulonte tërësisht votat nga jashtë.

Me votat nga jashtë Xheladini kishte përmbysur rezultatin në balotazh ku garon me Shaban Shabanin e PDK-së.

KQZ-ja në lidhje me organizimin e procesit të votimit të diasporës për kryetar të Dragashit do të mbajë mbledhje sot.

“Me aktgjykimin AA.nr 84/2021, Kolegji i Gjykatës Supreme e ka pranuar si pjesërisht të bazuar ankesën e kandidatit B.Xh., nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dega në Dragash, dhe ka ndryshuar vendimin e PZAP-së, Anr. 1143/2021 në pjesën e II të dispozitivit të tij, duke urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të organizojë përsëritjen e procesit të votimit nga jashtë, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale 2021, për kryetar të komunës së Dragashit”, thuhet nga Supremja.

Ndërkohë Supremja ka refuzuar ankesën e Listës Serbe kundër dënimit prej 10.100 euro që iu shqiptua nga PZAP për shkelje gjatë balotazhit në Kllokot.

​“Me aktgjykimin AA.nr 81/2021, Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si te pabazuar ankesën e subjektit politik Lista Serbe, të paraqitur kundër vendimit të PZAP-së, sipas të cilit, Listës Serbe i është shqiptuar dënim me gjobë në lartësi prej 10,100.00 €uro (dhjetëmijë e një qind), për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për subjektet politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët, për raundin e dytë të Zgjedhjeve Lokale të datës 14.11.0221”, thuhet nga Supremja.

Po ashtu është refuzuar ankesa e subjektit politik GI Srpska Narodna Sloga, që ka paraqitur kundër vendimit të PZAP-së.

“Me aktgjykimin AA nr. 82/2021, Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik, GI Srpska Narodna Sloga, e paraqitur kundër vendimit të PZAP-së. Ankesa e S.S., kandidat për kryetar të komunës Kllokot, nga subjekti politik, GI Srpska Narodna Sloga po ashtu lidhet me vendimin e PZAP-së sa i përket shitblerjes së votave në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në këtë komunë”, thuhet nga Supremja.