1 perditesime
13:39

Konstituohet Kuvendi Komunal në Lipjan, Daut Azemi kryesues

Komuna e Lipjanit ka konstituuar Kuvendin Komunal me gjithsej 31 këshilltarë të cilin do ta udhëheqë Daut Azemi nga radhët e LDK-së. Gjatë konstituimit të Kuvendit, Azemi ishte kandidati i vetëm për kryesues nga të gjitha partitë politike dhe i cili me shumicë të votave do ta drejtojë këtë institucion për katër vjetët e ardhshëm.

Ai me këtë rast është zotuar se në mënyrë të barabartë do t’i trajtojë të gjithë kuvendarët pa dallime politike.

“Nga këtu zotohem se do të ushtroj detyrën time pa bërë dallime dhe anime për secilin anëtar të kuvendit, në mënyrë që bashkërisht t’i përfaqësojmë interesat e qytetarëve dhe të ecim përpara dhe ta zhvillojmë komunën tonë. Një falënderim për qytetarët e Lipjanit të cilët më kanë vlerësuar duke e dhënë besimin e tyre për mandatin e tretë si anëtar i kuvendit ndërsa në këtë rast është mandati i dytë si kryesues. Zotohem se bashkë me juve dhe kryetarin e Komunës, Imri Ahmeti, do ta zhvillojmë edhe më shumë komunën tonë në mënyrë që t’i krijojmë një jetë më të mirë të gjithë qytetarëve të komunës sonë”, ka thënë Azemi.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, me këtë rast ka thënë se është një ditë e veçantë pasi që për të tretën herë po e rifillon detyrën e kryetarit të komunës, prandaj ka shprehur mirënjohje për të gjithë qytetarët.

“Ju qytetarë më keni bërë krenar për besimin tuaj, por edhe më obligoni që të punojmë shumë dhe me përgjegjësi për ta zhvilluar komunën tonë. Për mua para se gjithash është obligim dhe përgjegjësi dhe jo privilegj, është detyrë e shenjtë e jo pozitë, është synim e vizion i zhvillimit të mëtutjeshëm të komunës sonë e jo punë e zakonshme, është konfirmim e mirënjohje e punës sonë të deritanishme, por edhe detyrim për të vazhduar me dinamikë e insistim ndërtimin dhe zhvillimin e komunës sonë”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka ftuar qytetarët për aktivizim për të qeverisur me dinamik dhe efektivitet.

“Ndihma e qytetarëve gjatë punës sonë është determinuese e sukseseve, në veçanti ftoj qytetarët për të na ndihmuar për t’i detektuar edhe dobësitë eventuale me të cilat mund të ndeshet qeverisja jonë. Pa ndihmën dhe pa bashkëvendimarrjen me qytetarë nuk mund të kemi sukses dot. Do të shtojmë ritmin e punës për të përmbushur synimet tona për të realizuar premtimet tona. Unë besoj fort se do të vazhdojmë transformimin e qytetit dhe fshatrave tona, na presin punë të shumta dhe suksese të reja”, ka thënë midis të tjerash Ahmeti.

11:39

Imri Ahmeti betohet për herë të tretë si kryetar i Lipjanit

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti ka dhënë betimin për herë të tretë si kryetar i kësaj komune.

Kryetari i rizgjedhur, Ahmeti në seancën inauguruese të Kuvendit Komunal të Lipjanit tha se verdikti i votuesve në zgjedhjet lokale të 17 tetorit e ka bërë krenar, por edhe përgjegjës që në mandatin e ardhshëm katër-vjeçar të punojë fort e me për të zhvilluar qytetin.

“Vërtet për mua është jo vetëm ditë e veçantë që për të tretën herë po rifilloj detyrën e kryetarit të komunës. Prandaj, i jam mirënjohës qytetarëve që më kanë bërë krenar për vlerësimin tuaj, por ju edhe më obligoni shumë që ne të punojmë fort, të punojmë me përgjegjësi për të zhvilluar komunën tonë. Për mua para së gjithash është obligim dhe përgjegjësi e jo privilegj. Është detyrë e shenjtë e jo pozitë, është synim e vizion i zhvillimit të mëtutjeshëm të komunës tonë e jo punë e zakonshme, por edhe detyrim për të vazhduar me dinamikë e insistim ndërtimin dhe zhvillimin e komunës tonë”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha po ashtu se parimi i respektimit të ligjit do të jetë bazament i përhershëm i punës së tij në komunën e Lipjanit.

“Parimet tona qeverisëse dua sot t’ua rikujtoj dhe t’ua rikonfirmoj të gjithëve që parimi i respektimit të ligjit përkatësisht normave qeverisëse do të jenë bazament i përhershëm i punës tonë. Gjatë mandatit që po e rifillojmë, parimi i qeverisjes ligjore dhe transparente do të jetë udhërrëfyes dhe shteg që s’dalim përtej saj dot, pavarësisht sfidave, interesave, presioneve që mund të prodhohen gjatë punës tonë”, theksoi ai.

Ahmeti me këtë rast ka konfirmuar se do të jetë i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë qytetarët e Lipjanit dhe me të gjitha strukturat e partive pa dallim në të mirë të zhvillimit të mëtutjeshëm të Lipjanit, qytetit dhe fshatrave të komunës.

Imri Ahmeti nga LDK-ja ka fituar në raundin e parë të zgjedhjeve pa balotazh në zgjedhjet e 17 tetorit ku në garë ishte me kandidatët Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje, Hyzer Rizani nga PDK-ja dhe Bashkim Budakova nga AAK.

Sot është betuar edhe kryetari i zgjedhur i Mitrovicës, Bedri Hamza./KSP/