Kosovë

Ndërprerja e energjisë elektrike paralizon shërbimin administrativ të Podujevës

 

Asnjë dokument nuk kanë mundur ta marrin qytetarët e Podujevës që prej orës 10:00 kur është ndërprerë energjia elektrike në këtë komunë. Zyrtarët komunalë thonë se KEDS-i nuk i ka njoftuar me kohë për këtë ndërprerje 8-orëshe të energjisë dhe se gjeneratori nuk ka mundur ta përballojë kapacitetin shpenzuese të objektit të administratës komunale.

"Siç edhe mund të merret me mend, duke e pasur parasysh faktin se që nga ora 10:00 Komuna e Podujevës ka mbetur pa energji elektrike, ndërprerje për të cilën nuk jemi njoftuar nga KEDS-i, nga kjo orë nuk janë ofruar shërbime administrative. Sa i përket gjeneratorit, komuna ka gjeneratorin e saj, por për shkak se sistemi i ngrohjes ka qenë i lidhur me të, ky gjenerator nuk mund të përballojë këtë kapacitet shpenzues. Prandaj edhe nuk ka qenë e mundshme të përdoret", thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim të Komunës së Podujevës.