Kosovë

Posta kundërshton rrënimin e objektit të saj në Obiliq

Zyrtarët e Postës së Kosovës, në një përgjigje me shkrim, kanë thënë se objekti i Postës në Obiliq është ndërtuar bazuar në kontratën mbi dhënien e tokës ndërtuese në shfrytëzim të përhershëm nr.1428/2, të datës 22.01.1976, të lidhur nga Drejtoria për Ndërtimin dhe Rekonstruktimin e Komunës së Prishtinë dhe Ndërmarrjes së komunikacionit PTT (tani Posta e Kosovës Sh.A.)
 

Kuvendarët e Obiliqit e kanë miratuar një marrëveshje zotimi për dislokimin e Postës në këtë komunë në një lokacion të ri. Komuna planifikon rrënimin e objektit të vjetër për t’i hapur rrugë vazhdimit të sheshit “Dëshmorët e Kombit”. Marrëveshja është miratuar pa nënshkrimin e titullarit të objektit, Postës së Kosovës. Zyrtarët e kësaj të fundit thonë se për këtë çështje në vitin 2009 kanë ngritur edhe padi për vërtetimin e pronësisë ku tash është objekti i Postës, por që deri tash kjo çështje nuk ka marrë epilog. Kundër rrënimit të Postës ka dalë edhe partia opozitare, Vetëvendosje

Kuvendarët e Obiliqit e kanë votuar një marrëveshje zotimi ku flitet për dislokimin e Postës së Kosovës-dega në këtë qytet në një lokacion të ri, pa nënshkrimin e palës tjetër. Komunarët e Obiliqit po e kontestojnë pronën në të cilën tash është objekti i vjetër. Drejtori për Planifikim Urban, Arben Berisha, thotë se prona është komunale dhe se ekziston një vendim i mëhershëm i Kuvendit për rrënimin e këtij objekti për t’i hapur rrugë vazhdimit të sheshit “Dëshmorët e Kombit”. Ai nuk ka preferuar ta quajë këtë marrëveshje, por ka thënë se me këtë dokument është autorizuar kryetari i komunës për të negociuar me Postën e Kosovës rreth dislokimit.

“Posta që është aktualisht, është e ndërtuar që në vitet e hershme, afërsisht vitet ’70. Mirëpo, tash ne e kemi ndërmarrë një hap për ndërtimin e sheshit në atë zonë aty. Vitet e kaluara i kemi rrënuar disa objekte që kanë qenë me karakter banimi dhe e kemi bërë shpronësimin, i kemi larguar banorët aty, iu kemi bërë zgjidhje përmes vlerësimit iu kemi bërë edhe pagesat. Mirëpo, tash në vazhdën e zhvillimit të sheshit është edhe rrënimi i postës, vendimi i mëhershëm i Kuvendit”, ka thënë Arben Berisha.