Kosovë

Komuna e Fushë-Kosovës lë dy fshatra pa ambulanca funksionale

Me arsyetimin se ka rritje të numrit të banorëve në Fushë-Kosovë e mungesë të stafit mjekësor, ambulancat e Mjekësisë Familjare në Vragoli e në Miradi të Epërme janë nxjerrë jashtë funksionit
 

Dy ambulanca të Mjekësisë Familjare në fshatin Vragoli dhe Miradi e Epërme në Fushë-Kosovë janë nxjerrë jashtë funksionit me një vendim të Drejtorisë së Shëndetësisë së kësaj komune. Kjo është bërë me arsyetimin se në Fushë-Kosovë po mungojnë mjekët, derisa numri i banorëve është dyfishuar. Komuna fajëson Ministrisë së Shëndetësisë për mosangazhim të stafit mjekësor e nga Ministria kanë thënë se ka qenë kompetencë e Komunës të rekrutojë mjekë në proporcion me numrin e banorëve

Ka disa ditë që në derën të Ambulancës së Mjekësisë Familjare në Vragoli të Fushë-Kosovës është ngjitur një vendim që këtë AMF e ka nxjerrë jashtë funksioni. Po ky vendim i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Fushë-Kosovës e ka lënë pa ambulancë funksionale edhe fshatin Miradi e Epërme. Ndërsa, në disa fshatra të tjera shërbimet shëndetësore nga pesë herë në javë janë reduktuar në tre. Krejt kjo, sipas arsyetimit të Drejtorisë së Shëndetësisë, po bëhet për shkak të mungesës së mjekëve e shtimit të numrit të banorëve. Por, këtë çështje opozita konsideron se Komuna ka mundur ta zgjidhë shumë më parë me rekrutim të stafit, porse ka vlerësuar se nuk e ka pasur prioritet. Banorët e fshatrave, që tashmë kanë mbetur pa ambulanca funksionale, shërbimet shëndetësore do të mund t’i kryejnë në ambulancat e fshatrave përreth ose edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë-Kosovë.

Edhe aty, sipas qytetarëve, situata është e rënduar. Ata kanë thënë se me këtë vendim do të vështirësohet puna në QKMF e që për pasojë atyre do t’u zgjatet koha e pritjes për shërbime shëndetësore.