Kosovë

Policia kërkon funksionalizimin e kamerave vëzhguese të sigurisë në Prizren

Rrugët e sheshet kryesore të Prizrenit patën filluar të vëzhgohen nga kamerat vëzhguese të sigurisë që prej mesit të vitit 2012, kur Drejtoria e Emergjencës kishte investuar 200 mijë euro për instalimin e 70 kamerave në pikat kryesore
 

Përfaqësuesit e Stacionit Policor në Prizren u kanë bërë thirrje sërish autoriteteve komunale që ta realizojnë projektin për funksionalizimin e kamerave vëzhguese të sigurisë. Zyrtarët përgjegjës nga Komuna e Prizrenit kanë theksuar se janë duke e përgatitur me kujdes lëndën për prokurim, në mënyrë që tenderimi të mos dështojë si në të shkuarën

Kamerat vëzhguese të sigurisë në Prizren nuk janë funksionale prej vitesh, derisa organet ligjzbatuese në mënyrë konstante u kanë bërë thirrje autoriteteve lokale që të ndërmarrin veprime për zgjidhjen e kësaj çështjeje, me qëllim të lehtësimit të zbardhjes së veprave penale. Zyrtarët komunalë kanë pohuar se përpjekjet për kontraktimin e një operatori për vendosjen e kamerave të reja dhe mirëmbajtjen e atyre ekzistuese kanë dështuar disa herë dhe se aktualisht po punohet për procedimin e lëndës në prokurim.

Kërkesa për funksionalizimin e kamerave vëzhguese të sigurisë është adresuar edhe në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi nga zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Prizren, Nexhdet Mrasori.